Gomphotheres, i afërm -tani i zhdukur- i elefantit modern, mund të ketë qenë objektiv i gjuetisë në grup nga banorët e rajonit në Kilin jugor mijëra vjet më parë, sipas shkencëtarëve pas një zbulimi të fundit.
Shkencëtarët zbuluan kohët e fundit disa mbetje të Gomphothere që datojnë 12,000 vjet më parë pranë liqenit Tagua, një liqen akullnajor në Kilin jugor.
Këto krijesa të mëdha peshonin deri në 4 tonë dhe mund të arrinin 3 metra, duke i bërë shkencëtarët të besonin se ata ishin objektiv i gjuetisë në grup nga banorët e rajonit.
“Hipoteza me të cilën po punojmë është se ka të bëjë me gjuetinë, ngjarjet e gjuetisë”, tha Carlos Tornero, arkeolog që punon në vend. “Ne e mendojmë këtë sepse Gomphothere është një kafshë shumë e madhe dhe e rrezikshme dhe kërkon disa njerëz (për ta gjuajtur)”.
Shkencëtarët thonë se zbulimi do t’i lejojë ata të studiojnë ndikimin më të gjerë njerëzor në rajon dhe se si një klimë në ndryshim ndikoi te kafshët në zonë gjatë asaj kohe.
“Ne mund të marrim shumë informacion nga këtu, për shembull në lidhje me ndryshimin e klimës, se si ndikoi te kafshët”, tha arkeologia Elisa Calas. “Ndikimi që njerëzit kishin në mjedis, i cili është shumë në përputhje me atë që po ndodhë tani për sa i përket mjedisit”./UBTNews/