UBT News

Zbulim i ri: Kikirikët që në foshnjëri mund të parandalojnë alergjitë

Një studim i botuar në revistën Pediatrics ka treguar se mjekët pediatër mund të luajnë një rol kyç në uljen e rrezikut që fëmijët e vegjël të zhvillojnë alergji ndaj kikirikëve, nëse ndjekin udhëzimet më të fundit për parandalimin e alergjive dhe përdorin mjete praktike si video-trajnime, materiale informuese për prindërit dhe kujtesa elektronike në sistemet shëndetësore.

Rezultatet e studimit tregojnë se trajnimi i pediatërve, udhëzimet elektronike dhe materialet edukative për prindërit përmirësuan ndjeshëm aftësinë e mjekëve për të këshilluar familjet mbi futjen e hershme të kikirikëve në ushqimin e foshnjës.

Sipas të dhënave, futja e ushqimeve që përmbajnë kikirik në muajt e parë të jetës mund të ulë deri në 80% rrezikun për zhvillimin e alergjisë, duke iu referuar një prove klinike të zhvilluar në Britani në vitin 2015.

Doktoresha Tara Narula, korrespondente mjekësore e ABC News, shpjegoi në emisionin Good Morning America se studimi shqyrtoi mënyrën se si ndërhyrjet në praktikat pediatrike përmes video-trajnimeve, edukimit të prindërve, regjistrave elektronikë mjekësorë dhe kontrollit të ekzemës mund të përmirësonin këshillimin që u jepet familjeve.

Sipas të dhënave të revistës Pediatrics (2018), 8% e fëmijëve në SHBA vuajnë nga alergjitë ushqimore, 2% kanë alergji ndaj kikirikëve një rritje e ndjeshme krahasuar me fundin e viteve ’90, kur përqindja ishte 0.4%, sipas Journal of Allergy and Clinical Immunology (2015).

Narula shtoi se dikur besohej që kikirikët duhej shmangur në foshnjëri nëse dyshohej për alergji, por studimi i 2015-ës ndryshoi këtë qasje, duke treguar se futja e hershme e ushqimeve që përmbajnë kikirikë, midis moshës 4 e 6 muajsh, mund të ulte ndjeshëm rrezikun për alergji.

Udhëzimet e reja janë në fuqi nga 2017, vetëm 20–30% e pediatërve në SHBA i promovojnë praktikat e ekspozimit të hershëm, sipas Narulës.  Studimi i fundit u zhvillua në 30 klinika pediatrike në Illinois, me pjesëmarrjen e 18 mijë fëmijëve, për të testuar nëse trajnimi shtesë i ndihmonte mjekët të ndiqnin më mirë udhëzimet.

Rezultatet treguan se 84% e fëmijëve në grupin me ndërhyrje morën këshillim të duhur, krahasuar me 35% në grupin pa ndërhyrje — një dëshmi se trajnimi përmirëson ndjeshëm praktikën e pediatërve.

Udhëzimet aktuale ndajnë fëmijët në tre kategori:

Rrezik i ulët: pa ekzemë ose alergji ndaj vezëve – kikirikët mund të futen në dietë në çdo kohë;

Rrezik mesatar: me ekzemë të lehtë – futja rekomandohet rreth moshës 6 muajsh;

Rrezik i lartë: me ekzemë të rëndë a alergji ndaj vezëve kërkohet testim për antitrupa IG e konsultim me alergolog para futjes së kikirikëve.

Autorja kryesore e studimit, doktoresha Ruchi Gupta nga Universiteti Northwestern, theksoi rëndësinë e mbështetjes për pediatrët:

“Vizitat në muajt e 4-të dhe të 6-të janë të ngarkuara, ndaj kjo lloj ndihme është thelbësore që familjet të marrin udhëzime të qarta. Shpresa jonë është që këto biseda t’u japin prindërve besim për të prezantuar produktet me kikirik herët. Synimi ynë është të ndalim rritjen e alergjive ushqimore në SHBA përmes parandalimit,” – ka deklaruar Gupta. /A.Z/UBT News/

Exit mobile version