Kryetari i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Andin Hoti ka thënë se Ligji për Personat e Zhdukur është afër finalizimit, por nuk kanë arritur dakordim për të involvuar kërkesat e familjarëve të personave të zhdukur.
Hoti para anëtarëve të Komisionit për të Drejtat e Njeriut, theksoi se qëllimi i tyre është zbardhja e fatit të personave të zhdukur dhe termi i vendosur për këta persona në deklaratën për personat e zhdukur, qëllim ka trajtimin e dinjitetshëm.
“Është termi personat e zhdukur me forcë, nuk ka ekzistuar askund. Termin personat e zhdukur me forcë e kemi futur në takimin e Brukselit. Jemi pajtuar që ky term të përdoret. Nuk ekziston term personat e zhdukur me dhunë në gjuhën angleze. Nëse shfletoni internetin do të gjeni këtë shprehje. Ne nuk merremi me dënime, me ngritje të padive, qëllimi i komisionit është zbardhja e fatit të personave të zhdukur”, ka deklaruar Hoti.
Ai tha se ka arsye të mjaftueshme që të mos i besojë Serbisë. Sipas tij, në sekonda të fundit në takimin e Ohrit kanë arritur ta fusin në aneks marrëveshje, çështjen e personave të zhdukur.
“Ne kemi arritur që BE-në ta kemi direkte për çështjen e personave të zhdukur. Në Komisionin e përbashkët, ajo dot ë jetë bashkë me ne në këtë proces. Parashihet që brenda 60 ditëve të miratimit të deklaratës, do të formohet komisioni i përbashkët dhe implementimi i deklaratës”, ka thënë Hoti.
Kryetari i Komisionit Qeveritar ka shtuar se kanë arritur të harmonizojnë të dhënat përgjatë viteve.
Deputetja nga PDK-ja, Ariana Musliu Shoshi ka thënë se në Komision do të duhej të raportonte zëvendëskryeministri, Besnik Bislimi, i cili sipas saj, ka bërë pazare.
Hoti ka folur edhe për ndryshimin e statusit, për çka edhe Musliu-Shoshi e ka përmendur.
“Unë nuk jam i shqetësuar, i shqetësuar dhe i dëshpëruar jam me disa media për keqpërdorimin e sinqeritetit tim. Unë kam bërë një ndryshim teknik në status, disa media më kanë quajtur edhe gënjeshtar. Fjalën dhunë dhe forcë e kam përmendur në tekst”, ka përfunduar ai.