UBT News

Zbardhet pas 27 vitesh vrasja e dy vëllëzërve shqiptarë në Beograd

Pas 27 vitesh, është zbardhur vrasja e dy vëllëzërve shqiptarë, Haki Avduti dhe Jakup Avduti, e kryer në Beograd më 26 janar 1998. Autor i dyshuar i kësaj vrasjeje është Zoran V. (48 vjeç), i cili u arrestua kohët e fundit në lidhje me një rast tjetër të drogës dhe armëve. Arrestimi i tij dhe analiza e ADN-së kanë ndihmuar në lidhjen e tij me këtë krim.

Vrasja ka ndodhur në katin e katërt të një ndërtese në rrugën “Zmaj Jovina”. Sipas informacioneve nga Prokuroria e Lartë Publike në Beograd, dyshimet e bazuara sugjerojnë se Zoran V. ka qëlluar me pistoletë ndaj Hakiut dhe Jakupit, pasi ka vënë një maskë të zezë dhe doreza. Kur viktimat kanë arritur pranë derës së banesës numër 14, ai ka hapur zjarr dhe ka vrarë ata.

Pas krimit, autori është larguar duke hequr dhe hedhur kapuçin dhe dorëzat që kishte përdorur për të fshehur identitetin. Zoran V. kishte jetuar dhe punuar në Novi Sad për 27 vite pa u identifikuar si autor i krimit. Gjatë arrestimit të tij për një rast tjetër kriminal, ADN-ja e tij është marrë dhe ka rezultuar pozitive në lidhjen me vrasjen e dy vëllëzërve shqiptarë.

Prokuroria ka ngritur aktakuzë kundër Zoran V. për “vrasje të rëndë”, duke e çuar rastin në procedurat gjyqësore. Kjo ngjarje e tragjike që ka mbetur e pazbardhur për një periudhë të gjatë ka tronditur komunitetin shqiptar dhe ka nxitur kërkesa për drejtësi gjatë këtyre viteve./UBTNews/

Exit mobile version