UBT News

YouTube, TikTok dhe Snapchat do të përballen në senat për sigurinë e fëmijëve

Drejtuesit e një paneli të Senatit kanë thirrur ekzekutivët nga YouTube, TikTok dhe Snapchat për t’u përballur me pyetjet se çfarë po bëjnë kompanitë për të garantuar sigurinë e përdoruesve adoleshentë, transmeton UBT News.

Michael Beckerman i TikTok; Leslie Miller e YouTube, dhe Jennifer Stout e Snapchat do të paraqiten në një seancë dëgjimore të nënkomitetit sot.

Të tre platformat kanë shumë efekt në strukturën e jetës së të rinjve, duke ndikuar shpesh në veshjen, lëvizjet apo dietën e tyre, potencialisht deri në pikën e obsesionit.

Mediat sociale mund të ofrojnë argëtim dhe edukim, por platformat janë keqpërdorur për të dëmtuar fëmijët dhe për të promovuar ngacmimin, vandalizmin në shkolla, çrregullimet e të ngrënit dhe marketingun manipulues, sipas ligjvënësve.

“Ne duhet të kuptojmë ndikimin e platformave të njohura si Snapchat, TikTok dhe YouTube te fëmijët dhe çfarë mund të bëjnë kompanitë më mirë për t’i mbajtur ata të sigurtë”, tha senatori Richard Blumenthal.

Paneli dëshiron të mësojë se si algoritmet dhe dizajnet e produkteve mund të rrisin dëmin ndaj fëmijëve, të nxisin varësinë dhe ndërhyrjet në privatësi, tha Blumenthal.

Qëllimi është të zhvillohet legjislacioni për të mbrojtur të rinjtë dhe t’u japë prindërve mjete për të mbrojtur fëmijët e tyre.

Platforma e TikTok në vetëm pesë vjet që nga lansimi fitoi rreth 1 miliard përdorues në muaj.

TikTok mohon akuzat se ai funksionon me urdhër të qeverisë kineze dhe i siguron asaj të dhënat personale të përdoruesve. Kompania thotë se ruan të gjitha të dhënat e TikTok në Shtetet e Bashkuara. Ajo gjithashtu hedh poshtë kritikat për promovimin e përmbajtjeve të dëmshme për fëmijët, përcjell UBT News.

Kompania tha se ka në dispozicion mjete, të tilla si menaxhimi i kohës para ekranit, për të ndihmuar të rinjtë dhe prindërit të moderojnë sa kohë kalojnë në aplikacion dhe çfarë shohin. Kompania thotë se fokusohet në veçori të përshtatshme për moshën, të tilla si mesazhet direkte të cilat nuk janë të disponueshme për përdoruesit më të rinj në moshë.

Një komitet i veçantë ka hetuar edhe “YouTube Kids” këtë vit. Ligjvënësit thanë se kjo degë ushqen fëmijët me materiale të papërshtatshme në mënyrë që t’u shërbejë atyre reklama.

Pavarësisht ndryshimeve të bëra, letra e ligjvënësve thoshte, “YouTube Kids ende shfaq reklama për fëmijët”.

YouTube thotë se ka punuar për t’u ofruar fëmijëve dhe familjeve mbrojtje dhe kontrolle prindërore si kufizimet kohore, për të kufizuar shikimin në përmbajtje të përshtatshme për moshën.

Sa i përket Snapchat-it, platforma i lejon njerëzit të dërgojnë foto, video dhe mesazhe që zhduken shpejt, një joshje për përdoruesit e saj të rinj që kërkojnë të shmangin përgjimin e dikujt tjetër.

Vetëm 10 vjet nga lansimi, Snapchat thotë se 90% nga mosha 13 deri në 24 vjeç në SHBA e përdorin platformën.

Mesazhet, të njohura si “snaps”, mund të ruhen duke përdorur aplikacione të palëve të treta ose mënyra të tjera, sipas rregullatorëve.

Në këtë rast, Snapchat ishte gjobitur, por kishte rënë dakord të krijojë një program privatësie që do të monitorohet nga një ekspert i jashtëm për 20 vitet e ardhshme – ngjashëm me mbikëqyrjen e vendosur në Facebook, Google dhe Myspace në vitet e fundit./UBTNews/

Exit mobile version