UBT News

YouTube prezanton mjete të reja inteligjence artificiale dhe opsione monetizimi

Gjatë eventit “Made on YouTube 2025”, platforma zbuloi një gamë të gjerë mjetesh dhe veçorish të inteligjencës artificiale, të krijuara për t’i ndihmuar krijuesit të përmirësojnë procesin e punës dhe të rrisin angazhimin me audiencën.

Po ashtu, u prezantuan edhe mundësi të reja monetizimi, me synimin që krijuesit dhe bizneset të bashkëpunojnë më efektivisht.

Një nga risi më të mëdha lidhet me YouTube Shorts, ku Google prezantoi mjetin gjenerues DeepMind Veo 3 Fast. Ky mjet krijon sfonde me audio për klipet e shkurtra, shton rekuizita në skena, bën ristilim dhe lëvizje të objekteve, e shndërron pamjet e papërpunuara në video draft përmes redaktimit me inteligjencë artificiale.

Një tjetër veçori e re është konvertimi i të folurit në këngë, duke e kthyer dialogun në audio muzikore.

YouTube prezantoi gjithashtu Ask Studio, mjet bisede që ndihmon krijuesit të optimizojnë rrjedhën e punës, të marrin sugjerime, të testojnë përmbajtje me A/B testing dhe të sinkronizojnë automatikisht materialet e tyre.

Në fushën e transmetimeve të drejtpërdrejta dhe podkasteve, YouTube sjell mjete të reja për të rritur ndërveprimin me ndjekësit, për të zgjeruar audiencën dhe për të forcuar mundësitë e fitimit. Podkasterët do të mund të përdorin inteligjencën artificiale për të prerë klipet më të rëndësishme nga episodi, ndërsa Veo do të gjenerojë video të personalizuara nga skedarët audio.

Një tjetër risi e rëndësishme janë mundësitë e reja të monetizimit. Krijuesit do të mund të shtojnë lidhje direkte me faqet e markave në videot e shkurtra, ndërsa shërbimi YouTube Shopping do të zgjerohet në më shumë tregje dhe me më shumë partnerë tregtarë.

Inteligjenca artificiale do të ndihmojë gjithashtu në etiketimin automatik të produkteve për një integrim më të thjeshtë dhe më efikas.

Këto mjete dhe veçori të reja do të lançohen gradualisht deri në fund të vitit 2025 dhe gjatë fillimit të vitit 2026. /A.Z/UBT News/

Exit mobile version