UBT News

YouTube po ju thotë: “Mjaft me Shorts”, po vjen kohëmatësi i ri

YouTube po teston një veçori të re për të kufizuar kohën që përdoruesit kalojnë duke parë Shorts, raporton TechCrunch.

Platforma do të shtojë një kohëmatës ditor, i cili do të jetë i disponueshëm për të gjithë përdoruesit nëpërmjet cilësimeve.

Përdoruesit do të mund të vendosin një kufi kohor ditor për shikimin e videove Shorts. Pasi të arrihet ky kufi, në ekran do të shfaqet një njoftim që i kujton përdoruesit të bëjnë pushim.

Edhe pse njoftimi mund të mbyllet me një klikim, qëllimi i funksionit është të ndërgjegjësojë përdoruesit për kohën e tepërt që mund të kalojnë duke parë përmbajtje të shkurtër, shpesh orë të tëra në mënyrë pasive.

Në të ardhmen, YouTube planifikon ta integrojë këtë opsion edhe me kontrollin prindëror. Kështu, prindërit do të kenë mundësi të vendosin kufij për kohën që fëmijët mund të kalojnë në Shorts, dhe në këtë rast njoftimi nuk do të mund të hiqet nga fëmijët.

Kjo lëvizje vjen në një kohë kur shumë platforma sociale po përballen me kritika dhe padi për varësinë që shkaktojnë tek përdoruesit.

Sipas Bloomberg Law, mbi 2 mijë padi janë ngritur kundër kompanive të rrjeteve sociale, me akuza se platformat janë ndërtuar qëllimisht për të nxitur sjellje varësie dhe për të mbajtur përdoruesit të lidhur për periudha të gjata. /A.Z/UBT News/

Exit mobile version