Drejtori ekzekutiv i Institutit për politika sociale “Musine Kokalari”, Visar Ymeri thotë se është detyrë urgjente e legjislaturës së ardhshme të Kuvendit ta ngritë kuotën gjinore, që të kenë 50 përqind gra në lista zgjedhore.
Ymeri në një intervistë për Ekonomia Online tha se kuota gjinore ka paraqitur efektet pozitive, prandaj partitë politike nuk duhet ta shohin 30 përqindëshin si maksimumi i përfshirjes së grave në listat e kandidatëve për deputetë.
“Një qartësim ky konflikti mes ligjeve që e kemi do me thënë, njërën anë Ligji për zgjedhje i cili e vendos pragun ose kuotën minimale të 30 për qind për cilëndo gjini, dhe pastaj e kemi Ligjin për barazi gjinore që e shpërfaq një lloj synimi që duhet ta kemi për 50 për qind, dmth në përbërje të cilësdo gjini. Mendoj që ky është një konflikt ligjor që është dashur dhe duhet të zgjidhet dhe mendoj që është detyrë urgjente e Kuvendit që po vjen që ta marr parasysh të gjithë dhe në kuadër të saj, pastaj ta ngritë kuotën gjinore prej 30 për qind si minimum, në 50 për qind jo vetëm si synim por edhe si obligim. Natyrisht që partitë politike në Kosovë, shpërfaqin gjendjen e përgjithshme që e kemi në shoqëri që vazhdon me qenë shoqëri patriarkale veçanërisht në përfaqësimin publik apo jetës publike, mënyrën sesi ë trajtojmë gruan. Megjithatë, partitë e kanë obligim ta shtyjnë këtë tavanin e emancipimit një hap e tutje, në këtë drejtim është për keqardhje që edhe në këto zgjedhje partitë politike nuk kanë lëvizur shumë nga 30 përqind që e kanë si obligim ligjor, në përjashtim të Vetëvendosjes, e cila e ka ngritur përfaqësimin e grave në listë në 37%, pra ka më shumë gra sesa që ka qenë minimumi. Sidoqoftë kjo nuk është e kënaqshme pasi këto zgjedhje po ndodhin në 21 vjetorin e çlirimit nga Serbia dhe 13 vjet pas shpalljes së pavarësisë pra kemi pasur një historik goxha të bujshëm të jetës institucionale dhe në kuadër të kësaj e kemi parë që kuota fillestare prej 30 përqind ka sjellë rezultat të jashtëzakonshëm, nëse i shohim zgjedhjet e kaluara dhe zgjedhjet e para në Kosovë, ne e kemi parë që në secilin proces zgjedhor numri i grave të cilat i kanë fituar votat e mjaftueshme pa qenë të varura nga kuota ka shkuar duke u rritur, dhe kjo tregon që në një farë mënyrë kuota të na hap mendjen sado pak dhe pastaj performanca e gruas në politikë ia ka rezervuar asaj dhe garantuar vendin në Kuvendin e Republikës së Kosovës, paragjykimi fillestar është thyer në mënyrën më të mirë të mundshme dhe në këtë drejtim konsiderojë që duke pasur parasysh këtë sukses të kuotës ne duhet ta ngritëm në 50 për qind”, tha tutje ai.
Më tej, Ymeri tha se është diskriminim i jashtëzakonshëm për gratë që përfaqësimi në sferën politike nuk është i barabartë për dy gjinitë. Ai thotë se Kuvendi si dhoma e përfaqësimit të qytetarëve duhet të jetë i përfaqësuar me përqindje të njëjtë të burrave dhe grave.
“Kuota ka qenë obligim i cili ka intervenuar drejtpërdrejt në këtë mentalitet patriarkal, mirëpo mendoj që pas kuotës kanë filluar njerëzit ta shohin se gruaja qenka më e mirë se burrat në politikë. Në këtë drejtim e shoh që tash është detyrë e partive politike, e institucioneve ta çojnë në hap me tutje, politike në qoftë se nuk është emancipim atëherë nuk ia vlen të diskutohet. Në këtë drejtim konsideroj veçanërisht që Kuvendi si dhoma e përfaqësimit të qytetarëve, duhet të ishte 50 me 50 meqenëse ne në popullatë jemi 50 me 50, prandaj mendoj që ka diskriminim të jashtëzakonshëm, duke pas që për shkak të cenimit të drejtave dhe barazisë gjinore që e kemi në vendin tonë, siç është edhe në vendin tonë për sa i përket krijimit të një hapësire të re në skenën në jetën publike, veçanërisht në jetën publike, duhet të kemi ndërhyrje edhe më intensive në mënyrë që aq sa është e mundur ta korrigjojmë padrejtësinë dhe barazinë historike të cilën në jetojmë edhe sot”, u shpreh ai për EO.
Papërgjegjësia ka bërë që kjo çështje të lihet anash, thotë Ymeri duke shtuar se nëse vazhdohet me këtë ritëm kjo situatë do të mbetet e njëjtë.
“Unë nuk mendoj që është pa qëllim, dhe nuk po them që qëllimi është që të thuhet se gratë nuk janë për politikë, po unë po mendoj që këtu kemi një papërgjegjësi të burrave në politikë e të organeve udhëheqëse, se si këtë çështjen e barazisë gjinore dhe të përfaqësimit gjinor në përgjithësi, përherë e spostojnë si një çështje të parëndësishme, pra përherë e lënë për më vonë dhe mendoj që kjo ka ndodhë historikisht këtu në politik bërje në Kosovë, e rreziku është që po nuk intervenuam institucionalisht te ligjërisht atëherë kjo do të vazhdojë kështu përgjithmonë, prandaj në këtë drejtim konsideroj që ne duhet të kemi mekanizma të qartë institucional veçanërisht ligjor, që e garantojnë barazinë në këtë rast rritjen e kuotës që të vijmë në një shoqëri ku kuota më nuk do te jenë të nevojshme”, deklaroi ai.
Megjithatë, fakt i mirë sipas Ymerit është se shumica e grave të zgjedhura në Kuvend, kanë arritur të sigurojnë pozitën e deputetes me anë të votave dhe jo përmes kuotës gjinore.
Ndërsa, sa i përket listës zgjedhor, ai thotë se në çdo palë zgjedhje ka qenë situatë e njëjtë.
“Rritja ka qenë te numri i grave që kanë fituar mandatin e deputetes pa pas nevojë për kuotë, pra nëse për shembull ne zgjedhjet e para ku është përdorur kuota qind për qind numri i grave që kanë hyrë në Kuvend për shkak të kuotës, kjo përqindje ka shkuar duke u reduktuar deri në zgjedhjet e fundit ku ka qenë diku gati 40 për qind që kanë hyrë në Kuvend pa ndihmën e kuotës, ndërkohë që në lista zgjedhore përherë e kemi pasur këtë situatë, prapë po them me përjashtim të Vetëvendosjes që e ka rrit për pak numrin e grave në lista”, u shpreh në fund ai.