Dy yjet e një versioni të vitit 1968 të filmit “Romeo and Juliet” ngrenë padi për më shumë se 500 milionë dollarë (417 milionë £) për një skenë nudo në filmin që u regjistrua kur ata ishin adoleshentë.
Aktorja britanike, Olivia Hussey, atëherë 15 dhe tani 71 vjeç, dhe Leonard Whiting, atëherë 16, tani 72 vjeç, ngritën padi kundër Paramount Pictures për abuzim seksual, ngacmim seksual dhe mashtrim.
Regjisori Franco Zeffirelli, i cili vdiq në vitin 2019, fillimisht u tha të dyve se do të vishnin të brendshme me ngjyrë mishi në skenën e dhomës së gjumit që u xhirua në ditët e fundit të xhirimeve, sipas padisë. Por në ditën e xhirimeve, Zeffirelli i tha dyshes se do t’u vendosej grim trupi dhe u garantoi se kamera do të pozicionohej në atë mënyrë që nuk do të shfaqte lakuriqësi, thuhet tutje në padi.
Megjithatë, ata u filmuan nudo pa dijeninë e tyre, në kundërshtim me ligjet e Kalifornisë kundër sjelljes së pahijshme dhe shfrytëzimit të fëmijëve.
Në padi thuhet se Zeffirelli u kërkoi atyre të shfaqeshin nudo, përndryshe “fotografia do të dështonte dhe karriera e tyre do të dëmtohej”. Aktorët “besonin se nuk kishin zgjidhje tjetër veçse të vepronin siç u kërkohej”./UBTNews/