UBT News

Xi’an del nga izolimi, Pekini teston 2 milionë banorë

Autoritetet kineze hoqën izolimin njëmujor në qytetin verior të Xi’an teksa niveli i infeksionit me COVID-19 po bie në prag të Lojërave Dimërore në Pekin. Në Pekin, 2 milionë banorët e distriktit Fengtai iu nënshtruan testimit, pasi janë regjistruar një sërë rastesh me COVID-19.

Qeveria u kërkoi qytetarëve në disa zona të Pekinit që konsiderohen me rrezik të lartë të infektimit që të mos largohen nga qyteti pasi 25 raste u gjetën në Fengtai dhe 14 gjetkë. Banorët u rreshtuan të dielën në trotuaret e mbuluara me dëborë në mot të ftohtë për testim.

Komisioni Shëndetësor Komunal i Pekinit tha gjithashtu të dielën se kushdo që kishte blerë ilaçe për ethe, kollë dhe infeksione të tjera brenda dy javëve të fundit, do t’i kërkohet të bëjë një test për COVID-19 brenda 72 orëve, raportoi gazeta shtetërore Global Times.

Lojërat Olimpike do të mbahen nën kontrolle të rrepta. Atletëve u kërkohet të vaksinohen ose të karantinohen pasi të mbërrijnë në Kinë. Pavarësisht rënies së numrit të rasteve, kontrollet pandemike janë rritur përpara Olimpiadës, ku të gjithë pjesëmarrësit duhet të testohen para dhe pas mbërritjes së tyre në Pekin./UBTNews

Exit mobile version