Rreth 50 gra dyshohet se janë rrëmbyer nga xhihadistët në veri të Burkina Fasos, thonë zyrtarët lokalë.
Banorët në Arbinda thanë se dy grupe grash u rrëmbyen teksa po mblidhnin gjethe dhe fruta të egra për shkak të mungesës së ushqimit. Disa nga to ia dolën të shpëtojnë dhe ngrenë alarmin.
Rrëmbimet ndodhën të enjten dhe të premten, por lajmet sapo kanë dalë, pasi pjesa më e madhe e zonës është bllokuar nga militantët islamikë.
“Gratë u mblodhën për të shkuar dhe për të mbledhur gjethe dhe fruta të egra në shkurre, sepse nuk ka mbetur asgjë për të ngrënë”, tha një banore për agjencinë e lajmeve AFP, duke shtuar se ato shkuan me karroca.
“Të enjten mbrëma, kur nuk u kthyen, menduam se kishin probleme me karrocat. Por tri të mbijetuara u kthyen për të na treguar se çfarë ndodhi”, tha një tjetër banore.
Arbinda në rajonin e Sahelit është goditur rëndë nga kryengritja xhihadiste. Rrugët brenda dhe jashtë janë bllokuar nga xhihadistët./UBTNews/