Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka deklaruar se provokimet serbe do të dështojnë.
Ai teksa e ka quajtur shkelje të marrëveshjes shkeljen e vijës ndarëse kufitare në Merdarë nga xhandarmëria serbe, tha se për këtë tashmë kanë njoftuar partnerët.
Ministri i Punëve të Brendshme u shpreh se këto shkelje do t’i prezantojnë si dëshmi shtesë se si Serbia nuk është e gatshme për bashkëpunim.
“Bëjnë shkelje të marrëveshjes për menaxhimin e përbashkët të pikave kufitare. Nuk është hera e parë që ata bëjnë shkelje të kësaj marrëveshje, por shpresojmë të jetë e fundit. Ne patjetër që jemi të gatshëm me u ballafaqua me çdo shkelje të tyre dhe në të njëjtën kohë edhe t’i prezantojmë ato tek partnerët tanë si dëshmi shtesë se si Serbia nuk është e gatshme për të bashkëpunuar pavarësisht marrëveshjet të cilat ajo i ka nënshkruar”, tha ai.
Ministri, Sveçla po ashtu theksoi se institucionet e Kosovës po forcohen çdo ditë për zmbrapsjen e qëllimeve hegjemoniste të shtetit serb.
Ndërsa, shtoi se Kosova është e gatshme të ballafaqohet me çdo sfidë.
“Është e qartë se Kosova është e kërcënuar nga aspiratat hegjemoniste të Serbisë gjithë aparati i tyre shtetëror punon për të përmbushur qëllimet e tyre të cilat ko vetëm që janë të papranueshme për ne por edhe kriminale në realitetin tonë. Institucionet e Kosovës po forcohen çdo ditë që këto qëllime të Serbisë të zmbrapsen në çdo moment tash edhe në të ardhmen. Jam i bindur që këto provokime do të dështojnë patjetër vështirësojnë jetën e qytetarëve tanë posaçërisht të komunitetit serb, por ne jemi të aftë që të ballafaqohemi me çfarëdo sfide nga brenda apo jashtë”, tha ai.
Këto komente i pari i ministrisë së Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla i bëri pas pjesëmarrjes në debatin me temën “Roli i Inteligjencës Artificiale (IA) në Luftën Kundër Terrorizmit dhe Sigurinë Kombëtare” i organizuar nga Qendra Amerikane për Luftimin e Ekstremizmit dhe Terrorizmit (ACCET).
Gjatë ditës së djeshme pranë stacionit policor kufitar në Merdarë, në anën serbe, është parë një makinë e tipit Land Rover me targa serbe, e cila dyshohej të ishte në pronësi të xhandarmërisë serbe.
Sipas Policisë së Kosovës në atë makinë gjendeshin katër pjesëtarë të xhandarmërisë serbe.