Opozita e Serbisë në Novi Sad, në vend që të mbajë konferencën e paralajmëruar në Kuvend, ka hyrë në bashkinë e qytetit dhe ka mbajtur qëndrimin se nuk ka ndërmend të largohet. Mirëpo, pas rreth gjysmë ore erdhi policia dhe i largoi ata jashtë.
Forcat e policisë hynë në godinë dhe me përdorim të herë pas hershëm të forcës dhe rrahjes të asamblistëve dhe deputetëve, i hodhën të gjithë jashtë bashkisë.
Asamblisti i Lëvizjes Bravo në Kuvendin e Qytetit të Novi Sadit, Miran Pogaçar është arrestuar.
Pasi u larguan jashtë, opozita tentoi të hynte sërish në bashki, por policia e pengoi pas një sherri të shkurtër me asambiltët e opozitës.
Jo shumë kohë më vonë mbërriti xhandarmëria dhe e dëboi opozitën nga hyrja e bashkisë.
Siç sqaruan edhe më parë nga opozita, qëllimi i tyre me bllokadën ishte të shprehnin mbështetjen për studentët, ku ishin të pranishëm mbi 30 asamblistë komunal dhe deputetë krahinorë.
Deputeti i opozitës nga Lëvizja Qytetarët e Lirë dhe profesori universitar Radivoje Jovoviq foli më herët nga Kuvendi i qytetit, i cili tha se disa deputetë qëllimisht kanë krijuar një diversion derisa të tjerët po hynin në bashki.
Me fjalë të tjera, ata thirrën një konferencë në Kuvend për të tërhequr vëmendjen në atë vend, ndërsa të tjerët hyjnë në bllokadë në një tjetër.
“Ne erdhëm këtu për të krijuar një diversion, për të tërhequr automjetet dhe xhandarmërinë e SNS tek ne, ndërsa asamblistët e tjerë hyjnë në Bashkinë e Novi Sadit. Nëse bëjmë thirrje për një grevë të përgjithshme, ne duhet të bëjmë grevë edhe politikisht. Nëse studentët kanë muaj që bllokojnë fakultetet, ne do të bllokojmë edhe institucionet tona politike. Grevë, bllokadë. Nuk ka kthim prapa tani”, tha Jovoviq.
Janë bllokuar hyrjet në ndërtesë dhe në zyrën e kryetarit Milan Gjuriq. Në bashki morën pjesë asamblistët dhe deputetët krahinorë Marinika Trpiq, Borislav Novakoviq, Radivoje Jojvoviq, Millosh Tubiq, Miran Pogaçar, Miroslav Iliq, Janko Veselinoviq e të tjerë.
Punonjësit dolën jashtë dhe ndalën punën, ndërsa opozita vendosi një skaner dhe mobilje në hyrje që të mos hapej dera.