Mesfushori Granit Xhaka nuk po i merr meritat që i meriton tek Arsenali, por gjetjet e fundit kanë treguar se puna e tij nuk po kalon pa u vu re. Ylli shqiptar i Zvicrës është zgjedhur futbollisti më i mirë i Arsenalit për vitin 2021 deri tash, nga Qendra Ndërkombëtare për Studime në Sport (CIES).
Xhaka është i shtati në Premier Ligë për më së shumti paraqitje, duke u paraqitur në të gjitha ndeshjet e Arsenalit sivjet.
Trajneri i Arsenalit, Mikel Arteta, ka qenë vazhdimisht përkrahës i Xhakës. “Nëse dëshironi të jeni shembull në fushë për karakterin dhe për vendosmërinë, është ai”, kishte thënë Arteta për Xhakën pas ndeshjes me Benfican në Ligën e Evropës në shkurt. “Ai ka luajtur minuta më shumë se kushdo tjetër, por s’ndalet, madje edhe kur është i lodhur. Ai përpiqet shumë ta ndihmojë ekipin”.
28-vjeçari Xhaka kishte pranuar se Arteta ishte arsyeja kryesore për qëndrimin e tij në Emirates, pas telasheve që kishte pasur me fansat në tetor të 2019-s.