Kryeministri teknik i Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi deklaroi se Kushtetuta dhe ligji do të jenë baza e çdo veprimi dhe vendimi në qeveri. Pas pranimit të detyrës, ai u shpreh se puna primare e kësaj qeverie është parapërgatitja, organizimi dhe zbatimi i zgjedhjeve demokratike.
Në qeveri është bërë pranim-dorëzimi i detyrës në mes të ish-kryeministrit Dimitar Kovaçevski dhe kryetarit të qeverisë teknike, Talat Xhaferi.
Pavarësisht se sa do të zgjasë kjo qeveri, Xhaferi u zotua se asnjëherë nuk do të mungojë funksionimi i rregullt institucional.
“Shpreh kënaqësinë dhe përgjegjësinë që e mora përsipër, duke e përsëritur atë që e thash edhe dje në ekspozenë time në Kuvend, respektivisht kushtetuta dhe ligji do të jenë baza mbi të cilën do e mbështes çdo vendim dhe veprim që e ndërmarrim si qeveri. Duke qenë se jemi në koalicionin qeveritar që punonte me programin e pranuar të punës së qeverisë 2022-2024, natyrisht se edhe qeveria që do e udhëheq unë obligohet që të vazhdojë me zbatimin e plot, efikas dhe të suksesshëm të politikave të pranuara në këtë program. S’do mend se puna primare e kësaj qeverie është parapërgatitja, organizimi dhe zbatimi i zgjedhjeve të lira, fer dhe demokratike, të rregullta dhe presidenciale me 24 prill dhe 8 maj dhe zgjedhjeve të rregullta parlamentare më 8 maj 2024”, deklaroi Xhaferi.
Pas pranimit të detyrës së kryeministrit, kryeministri teknik, Talat Xhaferi shtoi se avancimi i partneritetit strategjik të Maqedonisë së Veriut me Bashkimin Evropian, NATO-n dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të mbeten prioritet primar.
“Këtë dua ta theksoj edhe më fuqishëm tani në këtë diskurs gjeo-politik, ku çdo hezitim, lëkundje apo mos-pasje e orientimit të qartë evropian, mund të shfrytëzohet nga fuqi të treta të cilat janë në kërkim të aleatëve që mund të kenë polifoni në shprehjen e qëndrimeve shtetërore dhe potencimin e qartë të vlerave dhe përcaktimeve që përfaqësojnë vlerat e mirëfillta demokratike dhe paqedashëse. Kështu që për qeverinë ruajtja dhe promovimi i partneritetit të Republikës së Maqedonisë së Veriut në kuadër të aleancës së NATO-s dhe mbetja besnik ndaj politikës së përbashkët të jashtme dhe sigurisë të Bashkimit Evropian nuk ka alternativë tjetër”, shtoi ai.
Dimitar Kovaçevski, i cili udhëhoqi qeverinë nga janari i vitit 2022, uroi Xhaferin për postin e kryetarit të qeverisë.
“Talat Xhaferit i uroj punë të suksesshme si kryetar i kësaj qeverie teknike me ministrat me zëvendësit. Besoj që qeveria do të jetë e përkushtuar fuqishëm në interesat, prioritet e qytetarëve dhe shtetit me kompetencat ligjore. Qeveria e re në periudhën që vijon, në 100 ditët e ardhshme do të organizojë zgjedhje parlamentare dhe presidenciale. Në të njëjtën kohë qeveria, shteti jonë si dhe bota është e drejtuar në sfida të mëdha. Duhet të ndahen dhe rregullohen sipas ligjit të përshtaten edhe nevojat e qytetarëve dhe detyrimeve që i kanë. Të gjitha procedurat ligjore dhe të cilat janë të përgatitura duhet të vazhdojnë për jetën e qytetarëve, bizneset, duhet të realizohen edhe më tutje”, përfundoi ai.
Kovaçevski dha dorëheqje më 25 janar ndërsa katër ditë më vonë, më 29 janar në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut u votua për kryeministër Talat Xhaferi i cili deri atëherë e drejtonte institucionin ligjvënës. Kryeministri i parë shqiptar në Maqedoninë e Veriut është nga radhët e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI).
Dorëheqja e ish-kryeministrit bazohet në Ligjin për zgjedhje dhe punën e Qeverisë, me qëllim formimin e Qeverisë teknike, e cila do të funksionojë 100 ditë, apo deri në zgjedhjet parlamentare, që do të mbahen më 8 maj.
Praktika e formimit të qeverive teknike, 100 ditë para zgjedhjeve në Maqedoni të Veriut, është vendosur në vitin 2016. Bazuar në ligjin për zgjedhje, pjesë e qeverise teknike do të jetë edhe opozita maqedonase.