UBT News

Xhaçka në Këshill të Sigurimit përmend spastrimin etnik në Kosovë

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë, Olta Xhaçka, në fjalën e saj në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për llogaridhënien për krimet në Ukrainë, organizuar nga Shqipëria dhe Franca, tha se është shumë e rëndësishme që bota të dëgjojë atë që po ndodh në Ukrainë.

Xhaçka përmendi edhe spastrimin etnik që ndodhi para 23 vjetësh në Kosovë nga forcat serbe, duke thënë se kushdo që kryen krime duhet të përgjigjet para drejtësisë.

“Në vitin 1999, vendi im, familja ime, strehoi familje që kishin ikur nga lufta brutale dhe fushata e spastrimit etnik në Kosovë. Thellë në memorien time nga ajo kohë ka mbetur ajo ndjenja e pafuqisë për të ndaluar atë që po ndodhte duke besuar fort se kushdo që po i kryente ato krime të tmerrshme duhej të paguante. Kjo ndjenjë u rizgjua te unë dhe te shumë njerëz në Shqipëri dhe në mbarë botën, kur nga Ukraina u shfaqën imazhet e tmerrshme, ku krime të tilla po kryheshin para syve tanë kundër njerëzve të pafajshëm, në një vend që nuk kishte bërë asgjë për të provokuar sulmin kundër tij”, theksoi Xhaçka.

Shqipëria u bë një nga themeluesit e grupit të miqve për llogaridhënie për krimet e kryera në Ukrainë dhe Xhaçka i shprehu mirënjohje Prokurores së Përgjithshme të Ukrainës, e cila theksoi ministrja “ka dokumentuar mbi 8 mijë raste të krimeve të kryera nga ushtria ruse në Ukrainë”.

“Skenat e gjakderdhjes dhe shkatërrimit që ne shohim në pamjet që vijnë nga Ukraina, godasin shumë më ndryshe dikënd për të cilin lufta dhe krimet e luftës nuk janë gjëra për të cilat lexoni në librat e historisë, por kujtime nga disa dekada më parë”, theksoi Xhaçka.

Ajo shtoi se bota ka detyrimin të bëjë më të mirën për t’i ofruar drejtësi popullit ukrainas.

“Rusia është një anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, një vend që supozohet të jetë një nga mbrojtësit e sistemit të bazuar në rregulla ndërkombëtare dhe për këtë arsye është e pajisur me të drejtën e vetos, por papritmas u kthye në mashtruese. Një i ashtuquajtur mbrojtës i sistemit, ka nisur një luftë kundër një fqinji, duke kryer krime të paimagjinueshme në këtë proces. Pse? Jo sepse u sulmua, jo sepse u kërcënua, por sepse zgjodhi. Ajo nuk është ndalur, edhe kur Asambleja e Përgjithshme e kësaj Organizate e dënoi në masë luftën e saj duke i kërkuar ta ndalonte atë”, theksoi Xhaçka.

Ministrja shqiptare u shpreh se Rusia duhet të mbajë përgjegjësi, pasi populli ukrainas po lufton jo vetëm për tokën dhe vendin e tyre, por edhe për paqen, sigurinë dhe stabilitetin dhe për të ardhmen e të gjithëve.

“Llogaridhënia ka të bëjë me mbrojtjen e themeleve të sistemit tonë, parimeve të Kartës së OKB-së, vlerave tona të përbashkëta dhe përgjegjësisë sonë të përbashkët. Ne nuk mund ta parandalonim këtë konflikt, por nuk duhet të dështojmë që përgjegjësit të japin llogari”, nënvizoi Xhaçka.

Exit mobile version