UBT News

Wizz Air hap bazën në Prishtinë, shton tri destinacione të reja dhe investon 100 milionë euro

Kompania ajrore me kosto të ulët Wizz Air ka njoftuar hapjen e bazës së saj operative në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, duke zgjeruar njëkohësisht rrjetin e fluturimeve me tri destinacione të reja.

Në ceremoninë e organizuar në aeroport, përfaqësuesit e kompanisë bënë të ditur se nga periudha e ardhshme do të nisin fluturimet drejt dhe nga Brukseli tri herë në javë, Karlsruhe/Baden-Baden katër herë në javë, si dhe fluturime të përditshme drejt Bazelit në Zvicër.

Me këto shtesa, Wizz Air do të operojë gjithsej në nëntë destinacione nga Prishtina. Aktualisht, kompania ofron fluturime për në Londër, Dortmund, Memmingen, Bratislavë, Milano dhe Romë.

Baza e re e Wizz Air në Prishtinë pritet të bëhet funksionale në muajin nëntor dhe, sipas kompanisë, përfaqëson një investim prej rreth 100 milionë eurosh. Si pjesë e këtij investimi, në Prishtinë do të vendoset edhe një aeroplan Airbus A321neo, me kapacitet prej 239 ulësesh.

Në ceremoni mori pjesë edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i cili e cilësoi vendimin e Wizz Air si një tregues të besimit në ekonominë dhe perspektivën e Kosovës.

“Vendimi i Wizz Air për të vendosur bazën e saj në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës është dëshmi se Kosova po shihet gjithnjë e më shumë si vend i besueshëm për investime, me perspektivë të qartë zhvillimi dhe potencial të madh për t’u integruar edhe më shumë në rrjetet evropiane të transportit, tregtisë dhe lëvizjes së lirë të njerëzve”, tha Kurti.

Ai shtoi se ky investim, së bashku me vendosjen e avionit të ri Airbus A321neo, dëshmon se Kosova po bëhet gjithnjë e më tërheqëse për industrinë ndërkombëtare të aviacionit.

Sipas Kurtit, bashkëpunimi i institucioneve me operatorët ekonomikë dhe partnerët ndërkombëtarë ka ndikuar në rritjen e besimit ndaj potencialit të Kosovës, duke krijuar kushte më të favorshme për investime të reja dhe zhvillim ekonomik.

D.L

Exit mobile version