WhatsApp po përgatit një veçori të re, të quajtur përkohësisht “dryn”, që synon të ofrojë mbrojtje të avancuar për përdoruesit që mund të jenë në rrezik nga sulmet kibernetike a ndërhyrjet e programeve spiune Pegasus apo Graphite.
Sipas faqes së specializuar WaBetaInfo, funksioni është zbuluar në versionin beta 2.25.33.4 të aplikacionit për Android, dhe aktualisht ndodhet në fazën e testimit.
“Dryni” përfshin një kombinim të opsioneve të sigurisë dhe privatësisë, që aktivizohen automatikisht për të forcuar mbrojtjen e përdoruesit.
Këto përfshijnë:
Bllokimin e skedarëve mediatikë dhe bashkëngjitjeve nga dërgues të panjohur;
Çaktivizimin e pamjeve paraprake të lidhjeve në mesazhe;
Heshtjen e thirrjeve hyrëse nga persona që nuk janë në listën e kontakteve;
Kufizimin e shtimit në grupe vetëm nga kontaktet tuaja;
Njoftime automatike kur ndryshon kodi i sigurisë në një bisedë të enkriptuar nga fillimi në fund;
Aktivizimin e verifikimit me dy hapa;
Kufizimin e dukshmërisë së fotos së profilit, informacionit, statusit dhe datës së fundit të lidhjes vetëm për kontaktet;
Dhe madje fshehjen e adresës IP gjatë thirrjeve, duke i bërë ato të kalojnë përmes serverëve të WhatsApp-it.
Nëse zbatohet. kjo veçori do të rrisë ndjeshëm nivelin e mbrojtjes kundër kërcënimeve të mundshme, pa qenë nevoja që përdoruesit të ndryshojnë manualisht shumë cilësime të privatësisë.
Aktualisht, nuk dihet ende se kur WhatsApp do ta lëshojë këtë funksion për të gjithë përdoruesit, por pritet të jetë hap i rëndësishëm drejt sigurisë së avancuar në komunikimet digjitale. /A.Z/UBT News/
