WhatsApp po teston një veçori të re që mund ta bëjë më të lehtë komunikimin pas thirrjeve të humbura. Sipas burimeve nga WABetaInfo, funksioni i ri është zbuluar në versionin beta 2.25.23.21 për Android dhe i lejon përdoruesit të regjistrojnë dhe dërgojnë mesazhe zanore menjëherë pasi një telefonatë nuk është pranuar.
Pas një thirrjeje zanore të pasuksesshme, aplikacioni do të ofrojë opsionin “Regjistro mesazh zanor”, krahas atyre ekzistuese “Telefononi përsëri” dhe “Anulo”. E njëjta shkurtore do të shfaqet edhe në bisedën me kontaktin përkatës.
Ky funksion synon të përshpejtojë procesin e dërgimit të një mesazhi zanor pas një thirrjeje të humbur, pa pasur nevojë të kërkohet manualisht funksioni i regjistrimit në bisedë. Kjo mbetet një veçori shtesë, dhe përdoruesit ende mund të dërgojnë mesazhe zanore në mënyrën tradicionale.
Aktualisht, funksioni është në dispozicion vetëm për një pjesë të përdoruesve që testojnë versionet beta në Android. Nuk dihet ende kur (ose nëse) do të bëhet i disponueshëm për të gjithë përdoruesit.