Meta po lanson disa ndryshime në WhatsApp që e bëjnë aplikacionin më të mirë për t’u përdorur për rrethe të mëdha njerëzish përfshirë lansimin e komuniteteve.
Komunitetet janë dizajnuar për të akomoduar disa grupe brenda një organizate të madhe njerëzish siç janë vendet e punës. Mendoni si diçka të ngjashme me Slack ose Discord, por në rastin e WhatsApp ka enkriptim fundor dhe administratorët mund të ndajnë përditësime me tërë komunitetin.
Kompania filloi testimet e komuniteteve në prill dhe tashmë po bëhen të disponueshme për të gjithë.
Meta ka sjellë edhe disa funksionalitete të reja të cilat mund të përmirësojnë komunikimet ditore. Anketat në biseda janë një opsion mjaft i dobishëm për të përcaktuar një orë takimi apo për të zgjedhur një film për të parë.
Videothirrjet tashmë pranojnë deri në 32 pjesëmarrës. WhatsApp gjithashtu ka dyfishuar numrin e anëtarëve të grupeve nga 512 në 1024./PCWorld Albanian