UBT News

Weidel: Merkel shkatërroi Gjermaninë

Në një bisedë me miliarderin amerikan Elon Musk, liderja e partisë ekstremiste të djathtë, “Alternativa për Gjermaninë” (AfD), Alice Weidel, e ka akuzuar ish-kancelaren Angela Merkel se ka “shkatërruar vendin tonë”.

Weidel i ka drejtuar kritika të forta Merkelit, veçanërisht për politikat e saj mbi migracionin gjatë vitit 2015, kur Gjermania u përball me një fluks të madh emigrantësh, kryesisht nga Siria dhe rajone të tjera. Ajo ka thënë se Merkel ka hapur kufijtë e Gjermanisë, duke shkelur vullnetin e popullit.

Po ashtu, Weidel ka kritikuar Merkelin për politikën e saj energjetike, duke e cilësuar atë “të neveritshme”, duke përfshirë vendimin për të hequr gradualisht përdorimin e energjisë bërthamore në vend.

Në këtë diskutim, i cili u zhvillua në anglisht në platformën sociale “X” (dikur Twitter) që është nën pronësinë e Musk, ky i fundit, një mbështetës i njohur i presidentit të zgjedhur të SHBA-së, Donald Trump, ofroi mbështetje për AfD, një parti që është konsideruar ekstremiste nga partitë kryesore gjermane, të cilat kanë deklaruar se nuk do të bashkëpunojnë me të në qeveri./UBTNews/

Exit mobile version