UBT është tashmë pjesë e Web Summit, ngjarjes prestigjioze ndërkombëtare që këtë vit zhvillohet në Lisbonë, Portugali. Ky event madhështor, që grumbullon qindra kompani dhe startup-e nga mbarë bota, ka nisur me diskutime dhe prezantime të frymëzuara, duke u shndërruar në një platformë të domosdoshme për shkëmbimin e ideve dhe ndarjen e përvojave në teknologji, inovacion dhe sipërmarrje.
UBT merr pjesë në këtë samit ndërkombëtar për të prezantuar arritjet e saj dhe për të nxjerrë në pah potencialin e Kosovës si një qendër inovative. Universiteti do të prezantojë projekte novatore nga studentët dhe ekspertët, që përfshijnë fusha si inteligjenca artificiale, teknologjia digjitale dhe sistemet e automatizuara. Përmes pjesëmarrjes së saj, UBT synon të pozicionojë Kosovën në hartën e zhvillimeve globale dhe të krijojë mundësi të reja për bashkëpunime ndërkombëtare.
Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, i cili është pjesë e delegacionit që përfaqëson universitetin, e sheh këtë ngjarje si një moment strategjik për Kosovën dhe UBT-në:
“Pjesëmarrja e UBT-së në Web Summit është një hap i rëndësishëm për të treguar aftësitë dhe kreativitetin e rinisë kosovare në fushën e teknologjisë dhe inovacionit. Ky është një moment për të ndarë përvojat tona dhe për të krijuar partneritete që do t’i japin një shtytje zhvillimit të Kosovës. Besojmë se potenciali ynë i jashtëzakonshëm mund të sjellë ndikim global, dhe se mund të kontribuojmë në sfidat e së ardhmes me zgjidhje të avancuara dhe përvoja që mund të ndryshojnë industrinë e teknologjisë.”
Ky samit është gjithashtu një mundësi për të takuar ekspertë dhe liderë të suksesshëm nga kompani si Google, Amazon, dhe Tesla, të cilët janë në Lisbonë për të ndarë vizionin e tyre për të ardhmen e teknologjisë. Me përfaqësimin e saj në Web Summit, UBT jo vetëm që tregon arritjet e veta, por gjithashtu promovon Kosovën si një vend të pasur me talente dhe ide për të kontribuar në zgjidhjet teknologjike globale./UBTNews/