“Warner Bros” ka njoftuar se filmi i i animuar “Hello Kitty”, me regji nga Leo Matsuda, do të shfaqet në kinema më 21 korrik 2028.
Ky projekt realizohet në bashkëpunim mes “Warner Bros Pictures Animation” dhe “New Line Cinema”, dhe do të sjellë në ekranin e madh personazhin klasik të kompanisë japoneze “Sanrio” — macen e famshme Hello Kitty, ka raportuar The Hollywood Reporter.
Lajmi u bë publik përmes një postimi në Instagram, ku studioja shkroi: “Hello Hollywood. #HelloKittyMovie po vjen në kinema më 21 korrik 2028!”
Edhe pse detajet e historisë nuk janë zbuluar ende, skenarin e ka shkruar Dana Fox, e njohur për “Wicked”, producent është Beau Flynn, me Shelby Thomas që mbikëqyr projektin për Flynn Picture Company.
Personazhi Hello Kitty u krijua më 1974 nga Yuko Shimizu, si një mace e bardhë britanike me emrin Kitty White, e njohur për fjongon e kuqe karakteristike.
Që prej asaj kohe, ajo është shndërruar në ikonë globale, me seriale të animuara, produkte të shumta dhe fansa në mbarë botën.
Planet për një film janë diskutuar prej më shumë se një dekade. Që në vitin 2015, “Sanrio” shprehi interes për ta përshtatur historinë në ekran ndërsa në 2019, The Hollywood Reporter raportoi se “New Line” dhe “FlynnPictureCompany” po zhvillonin një film në anglisht.
Ky do të jetë projekti i parë hollivudian që përfshin zyrtarisht Hello Kitty dhe personazhe të tjerë të “Sanrio”-s si Gudetama, My Melody dhe Little Twin Stars.
“Themeluesi i Sanrio-s, Shintaro Tsuji, në atë kohë kishte deklaruar: ‘Jam i lumtur që Hello Kitty dhe personazhe tjerë të njohur të Sanrio-s do të bëjnë debutimin në Hollywood. Hello Kitty ka qenë simbol i miqësisë, dhe shpresoj që ky film ta zgjerojë edhe më shumë atë frymë miqësie në mbarë botën.’”
Ndërkohë, FlynnPictureCompany po punon paralelisht edhe në versionin me aktorë të vërtetë të filmit “Moana” për Disney, me aktorët Dwayne Johnson dhe Catherine Laga’aia, që pritet të dalë në kinema më 10 korrik 2026. /A.Z/UBT News/
