Temperaturat rekord kanë përfshirë disa vende të Evropës Qendrore dhe Lindore, ndërsa vala e të nxehtit ekstrem vazhdon të shkaktojë zjarre, thatësira dhe probleme të shumta në infrastrukturë.
Shtete si Sllovakia, Austria dhe Hungaria kanë regjistruar temperatura të pazakonta për këtë periudhë. Sipas raportimeve, Sllovakia të enjten ka shënuar temperaturë prej 42 gradë Celsius, një prej vlerave më të larta të regjistruara në vend.
Situata e rënduar klimatike ka ndikuar edhe në sektorin energjetik. Në Poloni, autoritetet u detyruan të ndalojnë përkohësisht punën e termocentraleve me qymyr Kozienice dhe Polaniec, pasi niveli i ulët i ujit në lumin Vistula kufizoi furnizimin me ujë për ftohje. Ky vendim largoi rreth 1.3 gigavat kapacitet nga sistemi elektrik i vendit.
Ndërkohë, në Gjermani, aktivistët e klimës kanë kërkuar masa më të shpejta për reduktimin e përdorimit të lëndëve djegëse fosile, duke paralajmëruar për rrezikun që paraqet nxehtësia ekstreme për shëndetin e njerëzve. Sipas Institutit Robert Koch, mijëra persona kanë humbur jetën si pasojë e temperaturave të larta gjatë kësaj vere.
Ekspertët klimatikë paralajmërojnë se kombinimi i temperaturave ekstreme dhe thatësirave të zgjatura po rrit presionin mbi popullsinë, infrastrukturën kritike, bujqësinë dhe ekosistemet natyrore.
Ndryshimet klimatike, sipas tyre, po ndikojnë në intensifikimin e fenomeneve ekstreme të motit, duke e bërë Evropën gjithnjë e më të ekspozuar ndaj valëve të nxehtësisë dhe pasojave të tyre.
Foto: Associated Press
D.L
