Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar pas deklaratave të presidentit amerikan, Donald Trump, i cili në një tubim elektoral tha se administrata e tij është duke i ndalur “vrasjet masive” midis Kosovës dhe Serbisë.
VV-ja thotë se besimi se lufta e Kosovës e ka themelin te urrejtjet e lashta etnike, e te mospërputhja esenciale mes popullit serb e shqiptar, është besim i gabueshëm, i cili injoron rolin kryesor të Milosheviqit dhe regjimit të tij në shkaktimin e luftës.
“Po ashtu, ky besim anashkalon faktin se lufta nuk u urdhërua e nuk u organizua “prej qytetarëve”, por prej ushtrive e policive, me hierarki e përgjegjësi të qartë komanduese. Këtë temë e shtjellon historiani Noel Malcolm, “Kosova – Një histori e shkurtër”, i cili tash e dy dekada është bërë lektyrë për ushtarakët e KFOR-it, pra edhe ata amerikanë, të stacionuar në Kosovë, dhe mendojmë se duhet të lexohet edhe prej diplomatëve e këshilltarëve të presidentit që merren me çështjen e Kosovës e atë të Serbisë. Nëse lufta në Kosovë do të kishte qenë e karakterit etnik, pra dallimi etnik na paska shkaktuar konfliktin, atëherë kurrë nuk do të intervenonte NATO dhe Milosheviqi nuk do të mund të konsiderohej përgjegjës prej vetë ShBA-ve, NATO-s, OKB-së, e vendeve kryesore demokratike të botës. E vërteta është që prapa krimeve e masakrave qëndronte një aparat shtetëror gjenocidal (i cili më herët kishte sulmuar në Slloveni, Kroaci dhe Bosnje e Hercegovinë), kurse në anën tjetër populli shqiptar i pambrojtur në Kosovë, që u vetëmbrojt. NATO nuk mund të qëndronte duarkryq teksa Srebrenica po përsëritej në Kosovë.”, thuhet mes tjerash në reagimin e VV-së.
LVV-ja thotë se me qasjen rehabilituese të kriminelëve të luftës nuk po vendoset paqja mes Kosovës e Serbisë, por po zgjatet konflikti i ngrirë./UBTNews