UBT News

VV-ja kundërshton pjesëmarrjen e Selmanajt në seancë

Ushtruesi i detyrës së shefit të Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Liburn Aliu ka thënë se zëvendëskryeministri Driton Selmanaj nuk do të mund të jetë i pranishëm në seancat e Kuvendit.

Aliu ka thënë se do ta pamundësojnë mbajtjen e seancës së Kuvendit, nëse sërish do të shkojë zëvendëskryeministri Selmanaj.

“Për shkak të protestës së Grupit të VV-së e keni parë që është ndërprerë seanca. Lidhur me këtë çështje ne kemi shprehur qëndrimin tonë për Selmanaj dhe nuk e dëshirojmë atë në seancë”, deklaroi Aliu.

Sipas tij, Selmanaj shkoi me vetëdije në sallë duke e ditur paralajmërimin e tyre se do të kundërshtojnë prezencën e tij.

“Prezenca e tij është provokim me vetëdije. Ardhja e tij është bërë për shkak të ballafaqimit, e ashtuquajtura shumicë i ka veç 34 vota”, deklaroi Selmanaj.

Ai i ka bërë thirrje kryeministrit Avdullah Hoti që të vijë në seancën e Kuvendit që do të fillojë nga ora 14:00 në interpelancën për Ujmanin, raporton EO.

“Ata po dështojnë të sjellin ligje, po dështojnë të qeverisin, tani po fshihen me situatën e krijuar. Sot pritet që Hoti të ballafaqohet me Ujmanin. Selmanaj nuk duhet të jetë dhe nuk mund të jetë në Kuvend, reagimi ynë është paqësor dhe me kushtet që kemi. Do të kishim reagim qytetarë. Hoti duhet të vijë dhe të ballafaqohet, në orën 14:00 pritet të vazhdojë seanca e re. Ne presim që të vijë Avdullah Hoti dhe të mos vijë Driton Selmanaj. Ata e dinë reagimin tonë, seanca të vazhdojë pa Selmanajn dhe me Hotin në Kuvend”, shtoi ai,

Exit mobile version