UBT News

VV-ja kërkon nga Zemaj të raportojë në Kuvend për pandeminë

Lëvizja Vetëvendosje i ka dërguar kërkesë kryesisë së Kuvendit që ta ftojë për raportim para deputetëve ministrin e Shëndetësisë, Armend Zemaj, për situatën me COVID-19.

VV-ja konsideron se gjendja me pandeminë është përkeqësuar në mënyrë drastike.

“Pavarësisht përpjekjes vetëmohuese dhe përkushtimit të punonjësve shëndetësorë, numri i madh i të infektuarve, spitalet e mbingarkuara dhe paaftësia e kësaj Qeverie po e bëjnë përballjen me COVID-19 trefish më të rëndë për qytetarët e Kosovës. Gjatë javës së fundit janë regjistuar rreth 2500 raste të reja, kurse betejën me këtë virus e kanë humbur mbi 30 qytetarë. Këto shifra janë alarmante. Kjo është indikative se Kosova po shkon drejtë thellimit të krizës. Ndonëse Ministri kishte premtuar spital të veçantë për COVID-19, realizimi i tij nuk duket gjëkundi, e Klinika Pulmologjike dhe spitalet rajonale nuk kanë kapacitet për trajtim të një vale të re të të prekurve”, thuhet në shkrimin e VV-së.

VV-ja thekson se është e rëndësishme që Kuvendi i Kosovës të diskutojë për situatën me COVID-19, masat që janë ndërmarrë dhe ato që duhet të ndërmerren për të mbrojtur jetën e qytetarëve dhe shëndetin publik në përgjithësi./UBTNews

Exit mobile version