UBT News

VV: Hoti të raportojë në Kuvend për “100 ditëshin e dështimeve”

Lëvizja Vetëvendosje sot ka kërkuar që të thirret kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti për raportim në Kuvend. Nga kjo parti thonë që Hoti duhet të raportojë në Kuvend për ‘dëmet që ia ka shkaktuar Kosovës’.

“Këto 100 ditë qeverisje janë përcjellë nga vendime të dëmshme për interesat shtetërore të Kosovës, paaftësi për të qeverisur në interes të qytetarëve dhe koncesione të shumta për Serbinë. Asnjëherë më parë në një kohë kaq të shkurtër nuk i janë shkaktuar kaq shumë dëme e pasoja vendit. Pikërisht për këtë, Nënkryetarja e Kuvendit, znj. Arbërie Nagavci, sot ka kërkuar që të thirret Avdullah Hoti për raportim në Kuvend.”, thuhet mes tjerash në reagimin e VV-së.

VV-ja e ka akuzuar kryeministrin Hoti edhe për keqmenaxhim të pandemisë dhe çështje të tjera.

“Në planin e brendshëm, ajo dështoi për të menaxhuar situatën me pandeminë COVID-19. Nga pothuajse zero të infektuar në ditët kur mori detyrën e shndërroi vendin në një vatër të infeksionit në Evropë. Nga shembulli i menaxhimit të vlerësuar në nivel global, e nxori Kosovën në krye të listave të vendeve me gjendjen më të rëndë me COVID-19, e numrin më të madh të vdekjeve në botë.”, thuhet mes tjerash në reagimin e VV-së.

Më tej VV-ja thotë se ‘pa program të qartë dhe pa vizion, kjo qeveri e futi në kaos shtetin e Kosovës në planin e brendshëm dhe riktheu mendësinë keqqeverisëse të cilën e kishin ndëshkuar qytetarët e Kosovës në zgjedhjet e fundit. Ajo vazhdon të rrezikojë përditë interesat shtetërore, qoftë duke vënë në dyshim sovranitetin dhe integritetin në planin e jashtëm, qoftë duke cenuar karakterin unitar të shtetit përmes planeve për themelimin e “Zajdenicës”./UBTNews

Exit mobile version