Lëvizja Vetëvendosje e ka konsideruar të suksesshëm sesionin pranveror të Kuvendit, duke thënë se legjislatura aktuale është më e suksesshmja me gjithsej 254 ligje të miratuara deri më tani.
Deputeti i kësaj partie Adnan Rrustemi tha se Kuvendi në sesionin pranveror ka martuar 36 ligje, ku 20 prej tyre janë marrëveshje ndërkombëtare.
“Gjatë këtij (sesioni) janë miratuar 36 ligje nga Kuvendi i Kosovës. Bashkë me (sesionet) e mëparshme është arritur numri prej 254 ligjeve të miratuara nga Kuvendi i Kosovës në këtë legjislaturë. Natyrisht, dua të them që ende pa përfunduar komplet legjislatura kjo legjislaturë ka thyer numër rekord të miratimit të ligjeve në krahasim me legjislaturat e mëparshme”, tha ai në konferencë për medie të hënën.
Shefja e Grupit Parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari-Lila, pranoi se Kuvendi ka pasur probleme me sigurimin e kuorumit, por fajtor i bëri edhe partitë opozitare, që sipas saj vazhdimisht kanë bojkotuar përmes mos votimit ose mos prezencës në seancat plenare.
“Sfida të kohëpaskohshme kemi pasur si rrjedhojë e veprimeve të ndryshme politike, qoftë opozitë-opozitë, mirëpo edhe brenda grupeve. Megjithatë, unë mund të them se kjo legjislaturë ka bërë maksimumin në kuptimin e përpjekjeve për të shtyrë agjendën legjislative… Mos të harrojmë se një numër të konsiderueshëm të seancave ne si pozitë kemi qenë të vetëm në miratimin e ligjeve, pasi opozita ka bojkotuar qoftë votimin apo prezencën në sallë. Nëse mund të ketë qenë një standard të komplet legjislaturës së tetë atëherë ky është standardi më i shpeshtë”, tha ajo.
E pyetur për mungesën e shpeshtë të kryeministrit Albin Kurti në seancat plenare gjatë 2024 dhe mos përgjigjet në pyetjet parlamentare, Kusari-Lila tha se një gjë e tillë nuk qëndron, pasi kreu qeveritar është ndër kryeministrat më aktivë në pjesëmarrje të seancave.
“Kryeministri është një prej kryeministrave më aktivë në pjesëmarrje në seancë, nëse krahasohet edhe me kryeministrat paraprak. Sa herë që është ftuar dhe ka pasur nevojë për prezencën tij, ai ka qenë aty. Ju e dini që seancat zgjatin me orë të tëra dhe në momentin kur kemi debatet tona, të cilat nuk e kërkojnë involvimin e kryeministrit, jam e sigurt se koha e tij mund të përdoret më efektive jashtë Kuvendit”, tha ajo.
Krahas këtyre, shefja e deputetëve të VV-së nuk garantojë se deri në përfundim të kësaj legjislature do të mund të miratohet Kodi Civil, pasi tha sa për një gjë të tillë nevojitet një konsensus edhe opozitën.