UBT News

VV e LDK përplasen në Kuvend

Me përplasje të ashpra ndërmjet LVV-së dhe LDK-së është duke vazhduar seanca e jashtëzakonshme për miratimin e projekt-buxhetit për vitin 2021. Shefat e grupeve parlamentare të dy partive, Liburn Aliu dhe Arben Gashi e quajtën njëri tjetrin me epitete të ndryshme.

Derisa Aliu tha se LDK-ja po dëshiron ta bëjë zi e ma zi Kosovën përmes këtij projekt-buxhetit, të cilin e vlerësoi sikur me “dhezë sharrën”, e me pështjellur me interes nacional. Por këtë, Gashi e quajti paranojë e sëmundje psikike, që sipas tij po e shkatërron Kosovën.

“Është bërë praktik se sa herë thirret në këtë Kuvend për interes madhor nacional nga përvoja menjëherë duhet me shikuar anash se ku po dhezet sharra. Sa herë ju e përmendni interesin madhor nacional menjëherë ne kemi të drejtën e plotë legjitime se ju jeni duke e dhezë sharrën dikun. Ju vërtet me këtë projekt-buxhet e keni dhezë sharrën. Prandaj atë sharrën që ju e keni dhezë mos na pështjellni me interesin nacional, sepse interesi nacional dhe interesi madhor është duke u deshifruar mirë edhe me vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Po e thirrni ju këtë seancë, e jo qeveria. Pse, sepse qeveria po dihet që jo legjitime, sepse i bie që qeveria nuk është zgjedh asnjëherë, ama cilin projekt-buxhet, atë qe e ka hartuar po kjo qeveria. Po, po e njëjta qeveri që nuk është zgjedhur asnjëherë se në numra ka pas defekt dhe ju po mundeni që shpejt e shpejt me e sjell këtu. Prandaj që në start legjitimiteti juaj nuk ekziston. Ju deri tash keni bërë zi e më zi, e po këqyrni me bë edhe këto ditë që kanë mbetur”, tha ai.

Gashi duke iu kundërpërgjigjur, shefit të grupit parlamentar të LVV-së, tha se buxheti i vitit të ardhshëm nuk është buxhet i tenderave.

“Pranoja e sharrave e thikave dhe shpatave mbi torte vazhdon. Kjo paranojë, kjo sëmundje psikike po e shkatërron këtë vend. Ju të nderuar kolegë me këto paranoja, klithma në këtë Kuvend, po tentoni ta terrorizoni këtë popull. Ky popull nuk i nënshtrohet thirrjeve dëshpëruese të juve. Ky popull asnjëherë nuk do t’i nënshtrohet paranojave të juaja, asnjëherë deri më sot asnjë qeveri në detyrë nuk ka shpallur tendera dhe nuk ka dhanë tender. Kjo është paranoja juaj, ky është rreziku që ju përfaqësoni për këtë vend”, tha ai.

Exit mobile version