Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar pas konfirmimit të aktakuzës ndaj presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe kreut të PDK-së, Kadri Veseli. VV-ja shpreson që Thaçi dhe Veseli do të kthehen të pafajshëm.
VV-ja konsideron se fatkeqësisht Kosova sot nuk është në gjendje ta mbrojë UÇK-në me institucionet e saj, për shkak se keqqeverisja në dekadat e pasluftës ka rezultuar në institucione të brishta të drejtësise, të cilat nuk kanë fituar besimin e qytetarëve, e njëkohësisht i ka përkeqësuar marrëdhëniet e Kosovës me partnerët ndërkombëtarë.
Ndërkaq për dorëheqjen e presidentit, VV-ja konsideron se është veprim i duhur, por i vonuar.
“E vlerësojmë gjestin e dorëheqjes prej presidencës të Hashim Thaçit si të duhur, por të vonuar. Do të ishte mirë të vepronte qysh kur erdhi lajmi për akuzat, e jo të linte vend për të menduar se në prapaskenë po negocion për të shpëtuar veten prej atyre akuzave”, thuhet më tej në reagim.
Sipas VV-së, dhjetë vitet e fundit janë dëshmi se si kushdo që ka pretenduar ta mbrojë UÇK-në përmes pazareve të fshehta, ka dështuar, dhe vetëm sa e ka rritur dëmin.
“Vetë Gjykata Speciale është padrejtësi e prodhuar prej tyre, përderisa ne si Lëvizje, bashkë me shumë veteranë e qytetarë, protestuam kundër saj”, thuhet më tej.
VV-ja konsideron se vendit i duhen zgjedhje të reja e të lira, prej të cilave do të dalë një qeveri e cila gëzon mbështetje dhe legjitimitet prej shumicës së qytetarëve, qeveri që ia kthen besueshmërinë vendore e ndërkombëtare Kosovës.
“Presidenti i ri nuk mund të dalë prej pazareve në Kuvendin e vjetër e të deformuar, por do të dalë me integritet e besueshmëri, nga Kuvendi i ri, pas zgjedhjeve të reja. E deri atëherë, në një tranzicion të shkurtër e transparent drejt zgjedhjeve të reja, znj. Vjosa Osmani si ud. e presidentes, do të kontribuojë për mirë në imazhin ndërkombëtar të Kosovës. Vetëm një qeveri e pakorruptuar, e zgjedhur demokratikisht e jo produkt i pazareve, do të mund ta përparojë Kosovën e ta mbrojë UÇK-në dhe ta vlerësojë ashtu siç e meriton. Të gjithë duhet të bëhemi bashkë në respektim të ligjit, vullnetit të qytetarëve e demokracisë, e jo për t’iu mbivendosur asaj”, thekson VV-ja./UBTNews