UBT News

VV: Çështja e të pagjeturve nuk duhet të negociohet me Serbinë

Ish-ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu në një konferencë për media deklaroi se çështja e të pagjeturve nuk ka se çfarë diskutohet në dialog me Serbinë.

Haxhiu ka thënë se është e padrejtë të barazohen të pagjeturit me të zhvendosurit.

“Javët që lamë pas ne kemi dhënë qëndrimet tona në raport me zotimet e Hotit të nënshkruara në Washington. Në pikën 11 të kësaj marrëveshje thuhet se “të dyja palët zotohen që të përshpejtojnë përpjekjet që të lokalizojnë dhe të identifikojnë mbetjet e personave të humbur, të dyja palët angazhohen që të identifikojnë dhe implementojnë zgjidhje të gjata dhe të qëndrueshme për refugjatët dhe personat e zhvendosur. Përmes një paragrafi barazohen të pagjeturit me ata që janë zhvendosur nga vendi, barazohen qytetarët që janë vrarë e zhdukuar nga Serbia me ata që janë larguar nga Kosova.”, u shpreh Haxhiu.

Haxhiu deklaroi se Hoti me anë të atij nënshkrimi është pajtuar të fsheh të vërtetën për Serbinë, për krimet që ka bërë Serbia në Kosovë.

“Gjatë luftës, Serbia përveç vrasjeve, masakrave, dhunimeve, dëbimeve, është përgjegjëse për 6 mijë persona të pagjetur. Aktualisht Serbia s’i ka kthyer 1 mijë e 643 persona dhe nuk jep informacione për ta. Të pagjeturit mbeten plagë e hapur për Kosovën e familjarët që ende s’kanë informacione për më të dashurit e tyre. Të pagjeturit asnjëherë s’kanë qenë as temë në dialogun me Serbinë. Madje kjo Qeveri e ka dëmtuar kërkesën legjitime dhe të drejtë për kthimin e pagjeturve”, deklaroi ajo.

Haxhiu deklaroi se s’ka çka negociohet me Serbinë për çështjen e të pagjeturve.

Edhe deputetja e VV-së, Saranda Bogujevci u shpreh se çështja e të pagjeturve nuk është temë që negociohet./UBTNews

Exit mobile version