Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja ka deklaruar se me anë të rishikimit të buxhetit do të rriten të hyrat për vendin, ndërsa do të zvogëlohet borxhi publik.
Duke arsyetuar të njëjtin në seancë plenare, Muja tha se ministritë do të kenë më shumë fonde në dispozicion për t’iu dalë në nevojë qytetarëve.
“Fillimisht shpenzimet në kuadër të ligjit për ndarjet buxhetore për vitin 2021 ishin të parashikuara të ishin 2.4 miliardë euro. Në ndërkohë, në bazë të rishikimit pritet që shpenzimet të rriten për 63 milionë euro për të financuar prioritetet për ringjallje ekonomike, po ashtu edhe për prioritetin e financimit të nevojave shëndetësore. Kjo është arsyeja e parë, e dyta është rishikimi i të hyrave të përgjithshme. […] Të hyrat e buxhetit janë rritur, e tejkalojnë 2 miliardë euro. Ky rishikim ka ardhur për shkak të performancës dhe rritjes së tatimeve direkte dhe indirekte. Kemi pas një performancë të mirë në tvsh që aplikohet brenda vendit, po ashtu në kufi”, tha ndër të tjerash Muja.
Deputeti i mazhorancës tregoi edhe cilat ministri në ekzekutiv do të kenë mjete shtesë me anë të rishikimit të buxhetit.
“Kemi rreth 34 milionë euro më shumë për ministrinë e shëndetësisë dhe shërbimin spitalore, kemi 60 milionë euro për trasnfere për grupe shoqërore që janë në nevojë. Kemi 22 milionë euro më shumë për Ministrinë e Tregtisë, kemi 12 milionë euro më shumë për ministrinë e Bujqësisë, 11 milionë euro më shumë për nivelin lokal më shumë dhe ka pas një reflektim disa kontrata të dëmshme janë anuluar në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Mbrojtjes dhe fondet e njëjta janë për financim të nevojave imediate”, shtoi ai.
Ndërkohë tha se me rishikimin e buxhetit do të rriten të hyrat dhe zvogëlohet borxhi publik.
“Borxhi publik, në bazë të Ligjit për ndarje buxhetore ishte parashikuar të ketë një vrimë buxhetore prej 563 milionë euro, por me rishikimin e buxhetit ky borxh është paraparë të zvogëlohet në 473 milionë euro. Në kuadër të projektligjit, të hyrat rritet ndërsa vrimat(borxhi publik) do të zvogëlohet”, tha ai.