Komuna e Vushtrrisë ka shpallur gjendje të emergjencës civile. Kryetari i Vushtrrisë, Xhafer Tahiri ka bërë të ditur se për shkak rritjes së nivelit të ujit nga Lumi Llap e Drenica, që mund të sjellin prurje në Silnicë, është marrë ky vendim.
“Kam urdhëruar rritjen e gatishmërisë maksimale të gjitha ekipeve emergjente komunale. Pikat kritike pritet të jenë vendbanimet përgjatë Lumit ‘Silnica’, Qyteti i Vushtrrisë, Pestova, Prelluzha, Lumi i Madh, Nedakoci”, thuhet në njoftimin e komunës.
Ai tutje ka bërë të ditur se janë kontaktuar kryetarët e këtyre fshatrave që të kenë kujdes maksimal gjatë natës.
“Mundësisht të largohen njerëzit dhe makineritë nga ato shtëpi që zakonisht kanë probleme në rast të vërshimeve. Palestra në Samadrexhë është caktuar si vend për strehim në rast nevoje. Po ashtu edhe objektet tjera si shkollat po bëhen gati për këtë qëllim. Janë mobiliziar ekipet në QKMF, Zjarrfikësit dhe Policia. Kërkojmë bashkëpunim e mirëkuptim të qytetarëve në këtë situatë të emergjencës natyrore. Ju lutemi me kujdes maksimal dhe pa panikë”, njofton komuna./UBTNews