Presidenti i vendit, Hashim Thaçi ka kujtuar sot 7 shtatorin e vitit 1990, saktësisht tridhjetë vjetorin e miratimit të Kushtetutës së Kosovës në Kaçanik.
Thaçi në një postim në rrjetin social Facebook shkruan se vullneti i popullit të Kosovës për liri dhe pavarësi ishte shekullor.
Lexoni të plotë postimin e Thaçit:
“Vullneti i popullit tonë për liri dhe pavarësi ishte shekullor. I tillë ishte edhe vullneti i përfaqësuesve politikë. Ngjarjet e 2 korrikut dhe 7 shtatorit të vitit 1990 ishin akte të guximshme të delegatëve shqiptarë, që dëshmuan vendosmëri dhe vetëdije të lartë kombëtare e shtetformuese.
Sot, me respekt të veçantë, kujtojmë sakrificën dhe përkushtimin e deputetëve të atëhershëm të Kuvendit të Kosovës, që në rrethana të jashtëzakonshme miratuan Kushtetutën e Kaçanikut, e cila ishte bazament i fuqishëm për ndërtimin e jetës demokratike dhe institucionale në Kosovë.
Liria dhe pavarësia ishin ëndërr e shumë brezave, që sakrifikuan gjithçka për t’i bërë realitet”. /Telegrafi/