UBT News

Vullkani La Palma: Lava dhe hiri që shkatërroi ishullin, do të përdoret për ta rindërtuar atë

Ditët e fundit shumë banorë që ishin të evakuuar nga La Palma, janë kthyer në shtëpi, përcjell UBT News.

Për tre muaj ata ishin subjekt i “tekave” të një vullkani të zhurmshëm. Tani banorët e ishullit të vogël spanjoll po luftojnë me një dilemë tjetër: çfarë të bëjnë me gjithë lavën dhe hirin që vullkani la pas?

Vullkani ishte aktiv për 85 ditë, ku ‘lumenjët’ e lavës shkatërruan më shumë se 1000 shtëpi, autostrada dhe dëmtuan pothuajse plotësisht bujqësinë, e cila është fusha që mbanë ekonominë e ishullit.

Shpërthimi i vullkanit u shpall i përfunduar në ditën e Krishtlindjes, duke i lënë banorët të përballen me detyrën e lodhshme, atë të rindërtimit.“Zona duket sikur ata kanë ngritur Murin e Berlinit, por e bërë nga llavë e zezë”, tha Javier Moreno, një nga 80,000 banorët e La Palmas.

Ditët e fundit rreth 2,000 nga 7,000 banorët e evakuuar janë lejuar të kthehen në shtëpi.

Lava dhe hiri dolën edhe përtej ishullit. Lava që derdhej në oqean gjatë shpërthimeve krijoi dy gadishuj të rinj, me përmasa 44 dhe pesë hektarë, ndërsa pamjet nënujore shfaqën jetën detare të mbushur me hi.

REUTERS

Ndërsa studiuesit dhe zyrtarët përpiqen të kuptojnë se çfarë mund të bëhet me materialet e nxjerra nga vullkani, ata i janë drejtuar historisë. Në ishullin e afërt të Lanzarote, një shpërthim gjashtëvjeçar në vitin 1730 la pjesë të ishullit të mbuluara me materiale vullkanike. “Grimcat ishin poroze dhe të afta të mbanin ujin në dhe… ata e shfrytëzuan atë për të mbjellë vreshta”, tha gjeologia Galindo.

Ajo dhe ekipi i saj tani po studiojnë vetitë e hirit për të parë nëse ai mund të përdoret në një mënyrë të ngjashme, ndërsa një ekip tjetër studiuesish po hetojnë nëse toka e pasur me minerale mund të përdoret si pleh.

Zyrtarët rajonalë, ndërkohë, po eksplorojnë mundësinë e përdorimit të hirit për të ndërtuar shtëpi, rrugë dhe ura në të gjithë ishullin.

“Nuk është një ide origjinale, ne po përdorim teknikat që përdorën romakët”, tha Javier Juvera, inxhinier në departamentin e punëve publike në Ishujt Kanarie. “Romakët punuan me hirin që doli nga [Mali] Vezuv, duke e përdorur për të ndërtuar bazilikat dhe ndërtesat e tyre”.

Ekipi i tij tani po punon për të përcaktuar nëse hiri i shpërndarë nëpër ishull është i ngjashëm me hirin vullkanik të përdorur nga romakët. Nëse po, ata do të mund të krijojnë një material ndërtimi të qëndrueshëm që do të luajë rol në rindërtimin e ishullit, ku zyrtarët rajonalë kanë vlerësuar humbjen e ndërtesave dhe infrastrukturës në më shumë se 900 milionë dollarë.

Megjithatë, do të kalojnë muaj para se të ketë përgjigje përfundimtare se çfarë mund të bëhet saktësisht me lëndët e nxjerra nga vullkani.

“Sasia e materialeve është kaq e madhe – ka imazhe të shtëpive që praktikisht janë ‘varrosur’ në hi”, tha Juvera. “Por nëse nuk gjejmë një vlerë për të, ajo do të jetë humbje”./UBTNews/

Exit mobile version