Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pas një takimi në Bruksel me përfaqësuesin e posaçëm për dialogun të Bashkimit Evropian, Mirosllav Lajçak, deklaroi se ai pret që të pranojë ftesë për vazhdimin e dialogut me Kosovën në mesin e muajit maj.
“Serbia, natyrisht do t’i përgjigjet thirrjes për dialog dhe ne do të marrin pjesë në çdo lloj dialogu. Do të dëshironim që ai të ishte konstruktiv, që të flasim për zgjidhjen e problemeve. Si do të jetë ky proces, atë do ta shohim”, tha Vuçiq më 25 prill.
Ai deklaroi se në negociata ekzistojnë probleme të reja, para së gjithash në fushën e energjisë dhe këto probleme, siç ka thënë Vuçiq, duhet të “zgjidhen shumë shpejt”.
“Ajo që është për ne e rëndësishme është që të garantojmë siguri për njerëzit tanë, të zgjidhim problemet dhe ajo për të cilën sot insistova, është zbatimi i obligimeve nga Marrëveshja e Brukselit, do të thotë Asociacioni i komunave me shumicë serbe dhe liria e lëvizjes së njerëzve, mallrave dhe shërbimeve, për të cilat kemi nënshkruar në Uashington”, u shpreh Vuçiq.
Vuçiq të hënën do të takohet me presidentin e Këshillit të Evropës, Charles Michel, me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen dhe shefin e diplomacisë së BE-së, Josep Borrell.
Presidenti serb ka komentuar edhe votimin e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti për zgjedhjet e përgjithshme në Shqipëri.
“Ajo që i thash Mirosllav Lajçakut është fakti se Albin Kurti po mburret se ka votuar në Shqipëri, që do të thotë, se ata de fakto duan të thonë se nuk ka rëndësi a je në Tiranë apo në Prishtinë sepse ky është një shtet”, u shpreh Vuçiq.
Gjatë kësaj jave, nga 28 deri më 30 prill, Kurti do ta realizojë vizitën e tij të parë në Bruksel, që prej se është zgjedhur kryeministër i Kosovës. Gjatë vizitës, ai pritet që të takohet me zyrtarët më të lartë të institucioneve të Bashkimit Evropian.
Dialogu me Serbinë, përballja me pandeminë në Kosovë dhe ndihma që në këtë drejtim ofron BE-ja si dhe procesi i reformave, pritet të jenë tema kryesore të këtyre takimeve.