Vuçiq ka shprehur bindjen se derisa Albin Kurti të jetë kryeministër i Kosovës nuk pret të ketë ndonjë progres në procesin e dialogut.
“Është mirë që ne të dimë se ku jemi, të dimë se me kë kemi të bëjmë, dhe nuk ka asnjë filozofi të madhe, por mendoj se tani është e qartë për ata në perëndim që Kurti nuk dëshiron që ta formojë asociacionin e komunave serbe, se ai nuk dëshiron përparim në dialog dhe se gjithçka tjetër ishin trika ballkanikë që mund të funksionojnë një ose dy herë, por sigurisht jo në planin afatgjatë. Pra, do të jetë e rëndësishme për ne që të ruajmë jetën e serbëve në Kosovë për të ruajtur paqen, por nuk besoj se ndonjë përparim serioz, veçanërisht jo formimi i asociacionit të komunave serbe, do të vijë ndonjëherë derisa Albin Kurti të jetë në pushtet në Prishtinë”, ka thënë Vuçiq.
Ndryshe, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se ka dërguar vërejte për draftin e asociacionit të prezantuar nga euro-amerikanët, më 21 tetor. Shefi qeveritar, gjatë një vizite para disa ditësh në rajonin e Dukagjinit, tha se drafti i modernizuar për asociacionin, është më i avancuar se marrëveshja e vitit 2013.
“Për hir të konfidencialitetit të draftit, unë nuk mund të flas për vërejtjen dhe kritikat e mia. Ato janë shumë të rëndësishme, ia kam përcjellur emisarit evropian përmes zëvendëskryeministrit, Besnik Bislimi, më 24 tetor, dy ditë para se të takohemi në Bruksel. Ky është draft krejt tjetër pakrahasimisht më i avancuar por kjo s’do të thotë se ne jemi të kënaqur, andaj unë kam dërguar vërejtjen”, theksoi ai.
Ndërkaq, Përfaqësuesi Special i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, kohë më parë pati deklaruar se rikthimi në dialog është urgjent dhe e vetmja mënyrë për të mos lejuar përsëritjen e ngjarjeve terroriste në veri sikur ato të 24 shtatorit në Banjska të Zveçanit.