Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në një emision në TV Happy, të mbajtur dje, ka thënë se presioni ndaj Serbisë po rritet, por që nuk ka të bëjë vetëm me kërkesën që Beogradi ta njohë Kosovën, por qëllimi është që Serbia ta ndalojë rritjen ekonomike.
Vuçiq tha se mund të shihet presioni në rritje i Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian për të arritur një zgjidhje, dhe për ta zgjidhja është gjithmonë njohja reciproke.
Ai theksoi se askush nuk e korrigjon Vjosa Osmanin kur ajo flet për njohje të ndërsjellë, gjenocid, kur thotë se serbët janë përdhunues serialë, kur ata kërkojnë dëmshpërblime të luftës, ndërsa ata vet e shkëputën territorin. Ai theksoi se ata vet shkruajnë “non-paper”, të cilat nuk kanë asnjë lidhje me Beogradin dhe më pas akuzojnë autoritetet serbe se qëndrojnë pas tyre.
“Skifterët më të mëdhenj shqiptarë erdhën në pushtet në Prishtinë”
Vuçiq më tej shtoi se “skifterët më të mëdhenj shqiptarë” janë aktualisht në pushtet në Prishtinë, duke shijuar simpati të mëdha nga Perëndimi, veçanërisht Gjermania.
Ai gjithashtu foli edhe për idenë e hyrjes së Kosovës në NATO, e të cilën e sheh si “një presion të ri ndaj Serbisë”./UBTNews
(Driton Hyseni, student në Media dhe Komunikim)