Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se delegacioni i Serbisë shkon me “besimin më të madh” në Bruksel, ku më 19 korrik do të mbahet rundi i radhës i bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.
“Duam të bisedojmë, t’i zgjidhim problemet konkrete, nga personat e zhdukur e gjithçka tjetër. Mendoj se përparimi është i nevojshëm, por nëse është i mundur, do ta shohim”, tha Vuçiq.
Një ditë më herët, Bashkimi Evropian – si ndërmjetësues i dialogut – konfirmoi se rundi i ri i bisedimeve në nivelin më të lartë politik do të mbahet më 19 korrik.
“Ky takim i nivelit të lartë do të përqendrohet në diskutimet për përparimin e bërë, për hapat e ardhshëm në dialog, i cili është i rëndësishëm për perspektivën evropiane të Kosovës dhe Serbisë”, tha zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.
Takimi do të jetë i dyti midis kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Në takimin e 15 qershorit, dy zyrtarët nuk janë pajtuar për asgjë, por kanë rënë dakord t’i vazhdojnë takimet.
Mosmarrëveshjet midis tyre kanë të bëjnë sidomos me forminin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.