Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq i tha portalit çek “Parlamentní listy” se ai nuk beson se NATO-ja do t’i kërkojë ndonjëherë falje Serbisë për bombardimin në vitin 1999, siç bëri së fundmi presidenti çek, Millosh Zeman, transmeton Gazeta Express.
“Ata do të vazhdojnë të përsërisin se bënë më të mirën e mundshme dhe donin vetëm të parandalonin një katastrofë humanitare. Unë nuk besoj në ndonjë kërkimfaljeje zyrtare institucionale nga NATO. Por nëse më pyet nëse Millosh Zeman është presidenti i fundit që e bën atë, unë nuk mendoj kështu. Është e para, por nuk është e fundit”, tha Vuçiq.
Ai deklaroi se kërkimfalja e presidentit çek për bombardimet ishte një “balsam shërues për plagën e kombit serb”.
“A e dini se çfarë do të thotë kjo për një komb të vogël në Evropë? Kombi ynë i vogël u sulmua nga 19 vende të huaja, të cilat gjithmonë do të thonë se ata e bënë atë për shkak të një katastrofe humanitare, për shkak të fëmijëve, për shkak të gjithçkaje. Në vend të kësaj, ata vranë 72 fëmijë në Serbi duke i bombarduar ata. A ishte ky çmimi që u detyruam ta paguanim? A donin ata të na ndëshkonin në këtë mënyrë? Ky me të vërtetë nuk ishte dënim i ligjshëm. Kjo është arsyeja pse fjalët e presidentit Zeman nuk janë vetëm shumë të rëndësishme për mua, por gjithashtu ngrenë krenarinë time dhe dinjitetin e kombit tonë. Ai nuk mund t’i bënte më të lumtur qytetarët tanë”, tha Vuçiq.
Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq tha parmbrëmë se është e bindur se askush në NATO nuk është i kënaqur që presidenti çek kërkoi falje për bombardimin e Serbisë.