Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka konfirmuar të martën se do të vizitojë Moskën në muajin maj, dhe kështu mund të realizojë vizitën e tij të parë në Rusi prej nisjes së luftës në Ukrainë.
Ai i ka bërë këto deklarata në një adresim publik, pas ftesës që i ka bërë presidenti rus, Vladimir Putin për të marrë pjesë në festimet për të shënuar 80-vjetorin e fitores në Luftën e Dytë Botërore.
“Nëse nuk vjen fundi i botës – ndonëse nuk jam i sigurt, por shpresoj që nuk do të ndodhë – do të ishte nder i madh për mua që të jem në Sheshin e Kuq për përvjetorin e 80-të të çlirimit prej fashizmit”, ka thënë Vuçiq sipas agjencisë së lajmeve AFP.
Presidenti serb ka thënë se ka diskutuar për këtë çështje edhe me kryeministrin sllovak, Robert Fico, i cili “gjithashtu do të marrë pjesë”.
Kremlini ka thënë të martën se synon që më 9 maj të vitit tjetër të shënojë “festimin më të madh në histori”, teksa tenton të çojë përpara vlera patriotike dhe ushtarake.
Në Raportin e Progresit të Bashkimit Evropian në pjesën për Serbinë – vend që synon anëtarësimin në Bashkimin Evropian – është thënë se ky shtet nuk ka arritur përparim në politikën e jashtme dhe atë të sigurisë, meqë nuk ka arritur t’i harmonizojë politikat me ato të bllokut evropian.
Mes tjerash, në raport janë përmendur shqetësimet për forcim të bashkëpunimit në mes të Beogradit dhe Moskës.
Pavarësisht thirrjeve prej Brukselit, Serbia vazhdon të refuzojë sanksionimin e Rusisë për luftën në Ukrainë, dhe Beogradi vazhdon të kultivojë lidhje të ngushta me Kremlinin.
Serbia i ka nisur negociatat për anëtarësim në BE më 2014./REL/