Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha të mërkurën se autoritetet në Prishtinë as nuk duhet të ëndërrojnë që Serbia do ta njohë pavarësinë e Kosovës.
Ai iu përgjigj kështu pretendimeve të presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila ka thënë se prapa gjitha “non papers” të kohëve të fundit qëndron Serbia.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë të martën se të gjitha dhe idetë e paraqitura në to, janë destabilizuese për rajonin.
“Më lejoni t’ju them menjëherë se ajo që është shkruar në të nuk do të ndodhë, njohja nuk është e pranueshme për Serbinë,” u tha Vuçiq gazetarëve në Novi Sad, ku ai inspektoi punimet në ndërtimin e një spitali të ri për trajtimin e sëmundjes COVID-19.
Janë dy qarkore të cilat janë publikuar nga mediat në Ballkan në periudhën e fundit, autenticitetin e të cilave Radio Evropa e Lirë nuk ka arritur ta vërtetojë. Ato kanë ngjallur debate të shumta në nivele të larta politike për shkak të përmbajtjes që pretendohet se ofron zgjidhje të çështjes mes Kosovës dh Serbisë, por edhe më gjerë midis vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Njëri dokument është publikuar nga mediat sllovene në të cilën pretendohej se kryeministri i Sllovenisë, Janez Jansha i ka dorëzuar Brukselit zyrtar, një dokument, në të cilën besohet të jetë thënë se procesi i dezintegrimit të ish-Jugosllavisë nuk është finalizuar, dhe tjetri nga gazeta “Koha Ditore” në Prishtinë, për të cilin është thënë të jetë hartuar nga Gjermania dhe Franca, si iniciativë për rinisjen e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, dhe përmbylljen e këtij procesi me një marrëveshje përfundimtare.
Në këtë dokument thuhej se Kosova e Serbia duhet të pajtohen që të themelohet një i ashtuquajtur “distrikt autonom i Kosovës Veriore”, me kompetenca vetëqeverisëse. Ai do të përfshinte komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës.
“Ky dokument nuk është i vërtetë dhe nuk reflekton në asnjë mënyrë pozicionet e Gjermanisë dhe Francës”, është thënë në një përgjigje të Ambasadës gjermane, dhënë Radios Evropa e Lirë.
Të martën, Shtetet e Bashkuara thanë se mbeten të angazhuara në mbështetje të vendeve të Ballkanit Perëndimor në rrugën e tyre të integrimit evropian dhe antarësimit në institucione kyçe evropiane dhe auroatlantike. Kështu është thënë në një deklaratë të zëdhënësit të Departamentit të Shtetit, Ned Price, transmeton Zëri i Amerikës.
“Siç e kemi parë, spekulimet e panevojshme kohët e fundit për ndryshim kufijsh në Ballkan në bazë të linjave etnike kërcënojnë të sjellin destabilitet në rajon dhe zgjojnë jehonën e tensioneve të mëparshme. Një e ardhme e stabilizuar, e begatë për Ballkanin Perëndimor duhet të bazohet tek qeverisja e mirë, sundimi i ligjit, demokracia shumetnike dhe respekti për të drejtat e njeriut dhe liritë themelore,” thuhet në deklatën e zëdhënësit të Departamentit amerikan të Shtetit, Ned Price.