Një person dyshohet se është vrarë në orët e para të mëngjesit të së mërkurës në fshatin Banjë të Malishevës. Ndërsa një person është dorëzuar në Stacionin policor në Malishevë, dhe i njëjti dyshohet se ka qëlluar viktimën.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezaj, tha se vdekja e personit është konstatuar në vendin e ngjarjes.
Ai ka bërë të ditur se rasti ka ndodhur rreth orës 07:15, kur edhe është raportuar se në fshatin Banjë-Malishevë, viktima mashkull i moshës madhore është gjetur pa shenja jetë.
“Dyshohet të jetë qëlluar me armë zjarri. Ekipi mjekësor i cili ka dalë në vendin e ngjarjes ka konstatuar vdekjen e tij. Një person, po ashtu mashkull i moshës madhore, është dorëzuar në Stacionin Policor në Malishevë dhe nga hetimet e para dyshohet se i njëjti, për motive ende të panjohura, ka qëlluar viktimën me armë zjarri”, ka thënë Elezaj.
Siç ka thënë ai, njësitet e nevojshme policore dhe prokurori i shtetit kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe janë duke u ndërmarr veprimet e nevojshme hetimore.