Një grua ka mbetur e vdekur në rrugën “Dalip Alshiqi” në Sinidoll të Bërnicës në Prishtinë. Lajmin e ka bërë të ditur zëdhënësja e policisë rajonale të Prishtinës, Flora Ahmeti, sipas së cilës rasti ka ndodhur rreth orës 20:20 të së mërkurës.
“Rreth orës 20:20, kemi pranuar informatën për të shtëna me armë në rrugën “Dalip Alshiqi” në Prishtinë. Policia si dhe mjekët emergjent, menjëherë kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku në një veturë kanë hasë një person pa shenja jete. Vdekjen e viktimës (femër) e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes”, ka thënë Ahmeti.
Ajo ka thënë se sipas informacioneve të para, dyshohet se bëhet fjalë për vrasje me armë zjarri.
“Policia në koordinim me prokurorinë, ka nisur hetim dhe ndërmarrjen e të gjitha veprimeve hetimore dhe të ekzaminimit, që do të ndihmonin hetimin e ngjarjes si dhe sqarimin e plotë të rastit”, ka thënë Ahmeti.