Presidenti amerikan, Joe Biden tha se lideri i Al-Kaidës, Ayman al-Zawahiri, një nga terroristët më të kërkuar në botë, u vra gjatë fundjavës në në Kabul, në një sulm me dron të SHBA-së.
“Tani drejtësia është vendosur dhe ky lider terrorist nuk është më”, tha Biden në një fjalim televiziv më 1 gusht.
Al-Zawahiri është ngjitur në krye të Al-Kaidës pas vrasjes së Osama bin Ladenit nga forcat amerikane në maj të vitit 2011.
Shtëpia e Bardhë njoftoi më herët se SHBA-të kryen një operacion të suksesshëm kundër-terrorizmit kundër një objektivi “të rëndësishëm” të Al-Kaidës në Afganistan gjatë fundjavës.
Biden tha se zyrtarët e inteligjencës amerikane gjurmuan dhe e gjetën al-Zawahirit në një shtëpi në qendër të Kabulit, ku ai ishte fshehur me familjen e tij. Presidenti e miratoi operacionin javën e kaluar dhe ai u krye nga Agjencia Qendrore e Inteligjencës (CIA) më 31 korrik.
Inteligjenca amerikane konfirmoi se njeriu i vrarë ishte Zawahiri dhe se nuk pati viktima të tjera.
Zawahiri, 71 vjeç, mbikëqyri sulmet terroriste në Shtetet e Bashkuara më 11 shtator 2001, së bashku me Osama bin Laden, themeluesin e Al-Kaidës. Bin Laden dhe al-Zawahiri u arratisën nga forcat amerikane në Afganistan në fund të vitit 2001 dhe vendndodhja e Zawahirit kishte qenë e panjohur prej kohësh./REL/