Një sulm ajror izraelit ndaj një kompleksi ku qëndrojnë gazetarët në juglindje të Libanit ka vrarë tre punonjës të mediave, raportoi Agjencia Kombëtare e Lajmeve, media shtetërore e Libanit.
Stacioni lokal i lajmeve, Al Jadeed, ka publikuar pamje nga vendi i ngjarjes, që tregonin ndërtesa të rrëzuara dhe vetura, ku shkruhej PRESS, të mbuluara nga rrënojat. Ushtria izraelite nuk kishte lëshuar një paralajmërim para këtij sulmi.
Televizioni pan-arab me bazë në Bejrut, Al-Mayadeen TV, tha se dy punonjës të tij – kameramani Ghassan Najar dhe tekniku i transmetimit Mohammed Rida – ishin në mesin e gazetarëve të vrarë mëngjesin e 25 tetorit. Televizoni Al-Manar i Hezbollahut – grup militant dhe parti politike që kontrollon shumicën e jugut të Libanit – tha se kameramani Wissam Qassim u vra po ashtu gjatë sulmit ajror në rajonin Hasbaja.
Ali Shoeib, korrespondent i njohur i Al-Manarit, që raporton nga jugu i Libanit, u pa në një video duke incizuar veten me telefon dhe duke thënë se kameramani me të cilin kishte punuar për muaj të tërë ishte vrarë. Shoeib tha se ushtria izraelite e dinte e zona që u godit kishte disa shtëpi ku gjendeshin gazetarë të organizatave të ndryshme mediale.
Rajoni Hasbaja nuk ka përjetuar shumë dhunë, e cila është parë përgjatë kufirit, dhe shumë gazetarë tani janë zhvendosur aty për shkak të sulmeve izraelite në qytetin e afërt Marjajun. Më herët gjatë kësaj jave, një sulm ajror goditi zyrat e Al-Mayadeenit në periferi të Bejrutit, sipas Ministrisë libaneze së Shëndetësisë./UBTnews/