UBT News

Vrasjet brutale të dy vajzave të reja tregojnë se situata në Indi po përkeqësohet, thonë avokatët

Një vajzë adoleshente u ther me thikë për vdekje pavarësisht se anej po kalonin njerëz. Një vajzë edhe më e re pati një fat të ngjashëm, gjoja në duart e babait të saj, sepse ajo dhe nëna e saj donin të flinin në oborr.

Këto dy ngjarje ndodhën në dhjetë ditë diferencë prej njëra-tjetrës në Indi gjatë muajit të kaluar, por Jayna Kothari, një avokate e lartë në Gjykatën e Lartë të Indisë, tha se dhuna ndaj grave është përshkallëzuar gjatë dekadës së fundit.

“Në 10 vjetët e fundit ne kemi përjetuar këto vrasje të tmerrshme dhe incidente të dhunshme. Nuk mendoj se është bërë mjaftueshëm”, tha Kothari, e cila njihet për punën e saj në çështjet që lidhen me gjininë dhe seksualitetin.

Përgjatë asaj dekade vdiq edhe “Nirbhaya”, një 23-vjeçare, pasi u përdhunua në grup në një autobus në Delhi në vitin 2012. Avokatët shpresuan se rasti tronditës i saj do të ishte moment vendimtar në qasjen e Indisë për dhunën ndaj grave. Edhe pse u vendosën ligje më të fuqishme mbi përdhunimin, Kothari dhe disa të tjera thonë se në realitet ka ndryshuar fare pak.

“Krimet po vazhdojnë, por nuk ka asnjë veprim të dukshëm”, tha Kothari.

Në fakt, siç thekson edhe Swati Maliwal, kryetare e Komisionit për Gratë në Delhi, krime të tilla po bëhen më të zakonshme.

“Intensiteti, frekuenca dhe brutaliteti i krimeve janë rritur”, shtoi ajo.

Këto janë incidentet e fundit në vargun e krimeve të dhunshme që kanë ngjallur reagim lidhur me atë se a po bën qeveria mjaftueshëm për të mbrojtur gratë dhe për të ndëshkuar sulmuesit.

Sipas Byrosë Kombëtare të Regjistrimeve të Krimit në Indi, krimet kundër grave u rritën 87% gjatë dhjetë vjetëve (2011-2021)./UBTNews/

Exit mobile version