Gjykata Themelore Prishtinë, ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj të pandehurit H.V, për shkak të dyshimit se ka kryer veprat penale vrasje në tentative, mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve dhe veprën penale shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm.
“Gjykata vlerësoj se janë plotësuar kushtet për caktimin e paraburgimit, pasi që nëse i pandehuri H.V lihet në liri, paraqet rrezik që i njëjti të ik dhe të shmanget nga procedura penale, pasi i pandehuri nga data e 13.06.2024 kur dyshohet që ka kryer veprën penale Vrasje në tentativë e deri me datë 18.06.2024 kur është arrestuar nga Policia e Kosovës, ka qenë në arrati, andaj nën këto kushte gjykata vlerëson rrezikun potencial nga i pandehuri që të ik me qëllimin që të shmanget nga procedura dhe përgjegjësia penale e tij, po ashtu i njëjti nëse lihet në liri, mund të pengoj rrjedhën e procedurës penale duke ndikuar në të dëmtuarit apo dëshmitarët në këtë çështje”, thuhet në njoftimin e gjykatës.
Në komunikatë poashtu thuhet se ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri H.V me datë 13.06.2024, rreth orës 21:20 minuta, në rrugën “Xheladin Hana” në Prishtinë, për shkak të mosmarrëveshjeve të ndodhura më parë me persona ende të panjohur dhe me qëllim të hakmarrjes tenton të privojë nga jeta personat të cilët banonin me qera në një banesë në rrugën “Xheladin Hana” dhe me atë rast me dashje e kishte vënë në rrezik jetën e një ose më shumë personave të tjerë, duke shkuar prapa banesës në fjalë dhe nga aty kishte shkrepë rafalë me armë zjarri disa herë në drejtim të kësaj banese, ku gjatë të shtënave plumbat kishin goditur edhe një banesë tjetër dhe pastaj i pandehuri H.V kishte ikëur nga vendi i ngjarjes duke qëndruar në arrati, derisa Policia ka arritur të arreston të njëjtin.
Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.