UBT News

Vrasje në Gjilan, ndalohen katër persona, një tjetër në arrati

Accident or crime scene cordon tape, police line do not cross. It is nighttime, emergency lights of police cars flashing blue, red and white in the background

Një person ka vdekur dhe një tjetër është plagosur në një sulm me armë zjarri që ka ndodhur mbrëmë në Gjilan. Lidhur me rastin janë ndaluar për 48 orë katër persona.

Prokuroria Themelore në Gjilan ka treguar se V.H., B.K., A.S. dhe E.N., janë të dyshuarit që janë ndaluar. Po ashtu dyshohet se edhe një person ka qenë i përfshirë, por që ai gjendet në arrati.

“Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti për Krime të Rënda, ka ndaluar katër (4) persona në kohëzgjatje prej 48 orësh, tani të dyshuarit V.H., B.K., A.S. dhe E.N., pasi dyshohen se kanë qenë të përfshirë në incidentin e mbrëmshëm (08 Nëntor 2021) me armë zjarri në Gjilan, në të cilin tani i ndjeri E.R., si pasojë e plagëve të marra ka ndërruar jetë. Gjithashtu, nga kjo ngjarje është plagosur edhe i dyshuari V.H., i cili është duke u trajtuar në QKUK, nën mbikëqyrjen dhe sigurimin e njësiteve policore. Po ashtu, në këtë rast, dyshohet se ka qenë i involvuar edhe një (1) person tjetër, i cili për momentin gjendet në arrati”, thuhet në komunikatën e prokurorisë Themelore të Gjilanit.

Ndërsa trupi i pajetë i E.R është dërguar në obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë.

“Me urdhër të prokurorit të shtetit, trupi i pa jetë i të ndjerit E.R. është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore, në Prishtinë, ndërsa, ndaj të dyshuarve të lartshënuar brenda afatit ligjor do të kërkohet masa për sigurimin e të pandehurve në procedurë penale, nga Gjykata Themelore në Gjilan”, thuhet në komunikatë./UBTNews

Exit mobile version